Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklarimit të kryeministrit, Albin Kurti lidhur me ftesën e Prokurorisë Speciale.
Ajo deklaroi se Kurti mbrëmë ka shfaqur “apetitet e tij të frikshme” për të kapur sistemin e drejtësisë.
“Mbrëmë, Kurti shfaqi hapur apetitet e tij të frikshme për të kapur sistemin e drejtësisë dhe për të rrënuar rendin kushtetues të vendit. Mos harroni, po bëhen katër vite që Kurti ka qenë kryeministër, me shumicë parlamentare në Kuvend, me qeveri pa koalicione dhe pa pasur asnjë pengesë, por sipas tij, drejtësia e ka penguar, prandaj atij nuk i mjafton të jetë kryeministër; ai po kërkon të bëhet mbret.”
“Me deklaratën e tij: “Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, Kurti ka sfiduar hapur Prokurorinë Speciale. Çfarë thotë një deklaratë e tillë për barazinë para ligjit? Çfarë mesazhi është ky për qytetarët e këtij vendi që respektojnë ligjet, rregullat dhe institucionet e drejtësisë?”
Sipas Bajramit Kurti ka ambicie për ta ndryshuar rendin kushtetues.
“Sulmet e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese, mosnjohja dhe kundërshtimin i vendimeve të saj, janë një tregues tjetër i ambicieve të tij për të ndryshuar rendin kushtetues në vend. Kurti asnjëherë nuk përmend se është vendimi i po kësaj Gjykate që çoi te zgjedhjet e parakohshme dhe e solli atë në pushtet, në vitin 2021.”