Bajrami: Serbia nuk dëshiron marrëveshje finale me Kosovën, po i shkelin pikat e dakorduara

Bajrami: Serbia nuk dëshiron marrëveshje finale me Kosovën, po i shkelin pikat e dakorduara

Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, në një intervistë për Diplomatic World Institute ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për marrëveshjen e fundit të dakorduar mes palëve në Ohër.

Ambasadori Bajrami thotë se për të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e dialogut, është e qartë që pa njohje reciproke, raporti i Kosovës me Serbisë s’mund të konsiderohet i normalizuar. Diplomati kosovar thotë se njohja reciproke është ajo çfarë duhet të ndodh në fund të procesit të dialogut.

”Për të gjithë të përfshirët, është e qartë se nëse nuk ka njohje reciproke, marrëdhënia nuk mund të konsiderohet si normale. Dhe kjo – njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë – është ajo që do të duhet të vijë në fund të këtij procesi. Nuk ka rrugëdalje: përfundimi i dialogut, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është i mundur vetëm nëse ka njohje reciproke”, ka thënë Ambasadori Agron Bajrami.

Megjithatë ai tutje shton se ende s’janë të sigurt që Beogradi dëshiron që dialogu të përfundojë dhe të arrihet një zgjidhje afatgjate. Kur e thotë këtë, Ambasadori Bajrami shton se shihen në vazhdimësi shenja nga ana e Serbisë që nuk synon të pranojë të gjithë pikat e marrëveshjes së fundit.

Ambasadori i Kosovës thotë se Serbia e pranon plotësisht vetëm pikën në të cilën Qeveria e Kosovës zotohet për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

“Ata e pranojnë plotësisht vetëm një pikë në të cilën qeveria e Kosovës angazhohet të sigurojë një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin etnik serb në Kosovë. Por ata refuzojnë të pranojnë se kanë rënë dakord për pikat e tjera, siç është pika në të cilën bien dakord që të mos bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, ka shtuar tutje ambasadori Bajrami.

Ai thotë se Serbia tashmë e ka shkelë marrëveshjen e Ohrit kur ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në KiE dhe sipas tij Bashkimi Evropian “gabimisht po hesht” për një gjë të tillë.

Related Articles