Balla pas takimit me Krasniqin: Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore

Balla pas takimit me Krasniqin: Raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla është takuar me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ku ky i fundit në vizitë zyrtare në Shqipëri.

Balla është shprehur se takimi me Krasniqin u përqendrua në intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe mes grupeve parlamentare të PDK-së dhe PS-së.

Ndër të tjera, Balla ka shtuar se PDK është parti që ka një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës prej momentit kur vendi filloi rrugëtimin si shtet sovran dhe i pavarur.

Në anën tjetër, Kransiqi tha se ndjehet i lumtur që vizitën e tij të parë zyrtare si kryetar i PDK-së po e bën në Shqipëri, sepse sipas tij, për secilin përfaqësues politik të Kosovës, vizitat në Shqipëri janë më të veçantat.

Ai theksoi se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë jo vetëm vëllazërore, por edhe të rëndësishme dhe kontributi i secilës parti politike dhe i çdo institucioni për t’i thelluar dhe për t’i shtyrë më tej këto raporte është detyrë dhe përgjegjësi e secilit.

Më herët, delegacion i PDK-së i udhëhequr nga Krasniqi u takua edhe me Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Ndryshe, Krasniqi në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri është i shoqëruar nga Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Bajrush Xhemajli dhe Abelard Tahiri. /Gazeta Enigma/.

Related Articles