Regjisori palestinez, Hamdan Ballal, njëkohësisht fitues i çmimit më prestigjioz në kinematografi “Oscar”, është liruar të martën nga qendra e paraburgimit ku po mbahej nga autoritetet izraelite, raporton The Guardian, transmeton Gazeta Enigma.
Ai ishte sulmuar nga kolonët izraelit në Bregun Perëndimor dhe ishte ndaluar nga Ushtria izraelite.
Së bashku me dy persona të tjerë, ata ishin akuzuar nga autoritetet izraelite se kanë hedhur gurë në drejtim të një koloni të ri.
Ballal dhe dy palestinezët e tjerë u liruan nga stacioni policor në Bregun Perëndimor, ku ata po mbaheshin. Ai kishte mavijosje në fytyrë dhe gjak në rrobat e tij.
Ballal kishte thënë se kolonët e kishin sulmuar atë përballë shtëpisë së tij dhe e kishin filmuar sulmin. Ai ka shtuar se fillimisht është mbajtur në kushte çnjerëzore në një bazë ushtarake.
“I gjithë trupi im ka dhimbje”, ka deklaruar ai për Associated Press.
“Unë dëgjoja zërat e ushtarëve, ata po qeshnin me mua…unë dëgjoja fjalën ‘Oscar’ por nuk flisja hebraisht”, ka shtuar Ballal.
Në fillim të këtij muaji, Ballal dhe regjisorët e tjerë të filmit “No Other Land”, që si i tillë trajton gjendjen e rëndë të palestinezëve nën okupimin e Izraelit, ishin shfaqur në skenë për të pranuar çmimin “Oscar” për kategorinë e filmit më të mirë dokumentar.
Të tre palestinezët e liruar u dërguan për në spitalin e qytetit të Hebronit.
Bashkëregjisori i filmit, Yuval Abraham, ka shkruar në rrjetin social X se “pas sulmit, Hamdani ishte vënë nën pranga dhe iu mbuluan sytë gjatë gjithë natës në një bazë ushtarake, teksa dy ushtarë ushtronin dhunë fizike ndaj tij, ka thënë avokati i tij Leah Tsemel pasi ka folur me të tani”. /Gazeta Enigma