Te skuadra e Ballkanit nuk ka vend për kalkulime në ndeshjen ndaj Dinamo Zagrebit, me të cilën edhe mbyllet faza e grupeve në Ligën e Konferencës. Duke pasur parasysh këtë, futbollistët e Ballkanit do të dalin në fushë për ta mposhtur Dinamon në Zagreb. Vetëm me fitore Ballkani mund të mbajë gjallë shpresat për kualifikim në fazën tjetër të kësaj gare.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka pranuar se ekipin e tij e pret një ndeshje e vështirë në stadiumin “Maksimir” në Zagreb, por ka thënë se te kampioni i Kosovës nuk kanë çfarë të humbin. Pra, ka paralajmëruar se Ballkani futet në këtë ndeshje për të marrë gjithçka ose asgjë.
Dueli mes Dinamos dhe Ballkanit zhvillohet të enjten prej orës 21:00 dhe i takon Grupit C të Ligës së Konferencës. Aktualisht Ballkani është i fundit në grup me katër pikë të mbledhura, dy më pak se Dinamo që renditet e dyta. Katër pikë i ka edhe Astana që është e treta në tabelë për shkak të goldallimit më të mirë se Ballkani. Viktoria Plzeni, që ka pesë fitore në po aq ndeshje, tashmë ka siguruar vendin e parë dhe kalimin tutje.
Për pozitën e dytë në grup në garë janë tri skuadra, por gjasat më të mira i ka Dinamo pasi ekipit kroat i mjafton edhe barazimi për të avancuar tutje. Ndërkohë, Ballkani edhe nëse mposht Dinamon në Zagreb, duhet të shpresojë që Astana mos të fitojë ndaj Plzenit në Çeki.
“Kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore. Por, ne do të përdorim të gjitha forcat tona për të bërë një paraqitje të mirë në Zagreb dhe për të fituar”, paralajmëroi Daja në konferencën për shtyp, të mërkurën.
Daja ka pranuar se Dinamo mbetet favorit në këtë përballje, por ka insistuar se Ballkani nuk do të futet i dorëzuar në fushë. Pos që luan në shtëpi, Dinamon e bën favorit edhe emri si një prej ekipeve më të respektuara në rajon, ka thënë Daja. Sipas tij, ndeshja në Zagreb do të jetë dukshëm më e vështirë për Ballkanin sesa ajo në Prishtinë, të cilën e fitoi me rezultatin 2:0.
“Sigurisht që këtu do të jetë më e vështirë për ne ashtu siç ishte për Dinamon në Prishtinë. Kur luan në një stadium pritës, favorit gjithmonë është pritësi. Favorite është Dinamo për vetë emrin që ka si një ekip shumë i madh në rajon. Na pret një transfertë e vështirë, por që nuk do të futemi të dorëzuar, kjo është më se e sigurt”, shtoi Daja.
Ballkani edhe në këtë ndeshje do të jetë pa sulmuesin e krahut, Almir Kryeziu, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi që po e mban jashtë fushe për javën e tretë. Ndërkohë, do të mungojë edhe sulmuesi Walid Hamidi për shkak të suspendimit.
Daja foli edhe për humbjen e Ballkanit që e pësoi vikendin e shkuar në Superligën e Kosovës, ku u mposht nga Llapi, 5:3.
“Ne në kampionat kemi 12 fitore dhe 2 barazime dhe ndeshja e fundit ka qenë një situatë e izoluar. Besoj se kjo ndeshje me Dinamon nuk ka lidhje me atë ndeshje. Ndoshta edhe vetë ndeshja me Dinamon ka bërë që futbollistët të jenë më të përqendruar te ndeshja në Zagreb sesa ajo në kampionat”, shtoi Daja.
Optimizmin e tij para duelit me Dinamon e shprehu edhe mbrojtësi i krahut, Gentrit Halili. Halili tha se të gjithë te Ballkani janë të vetëdijshëm se ndeshja me Dinamon do të jetë shumë e vështirë, por insistoi se ekipi nga Suhareka ka udhëtuar në Zagreb për pikët e plota.
“E dimë të gjithë historinë e Dinamos dhe është kënaqësi i madhe të luajmë në këtë stadium. Por, ne nuk kemi ardhur këto për shëtitje por të marrim tri pikët dhe të kemi mundësinë të kualifikohemi në fazën tjetër”, është shprehur Halili.
Pavarësisht si përfundon ndeshja në “Maksimirin” e famshëm në Zagreb, edhe ky rrugëtim i Ballkanit në Ligën e Konferencës mund të vlerësohet shumë i suksesshëm për skuadrën suharekase, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi.