Ballkani ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0 në udhëtim ndaj Dukagjinit në kuadër të javës së 28-të në elitën e futbollit kosovar.
Për t’i dhënë epërsinë mysafirëve u përkujdes Sunday Adetunji i cili qysh në minutën e katërt realizoi për rezultatin 1-0.
Në minutën e 30-të vendasit patën mundësi të artë që të barazojnë shifrat, por Altin Mërlaku dështoi të shënojë nga penalltia.
Menjëherë në aksionin vijues Ballkani ia doli ta gjejë golin e dytë, ku sërish autor i tij ishte Adetunji (32’) i cili shënoi për 2-0 pas asistimit të Giovannit.
Në pjesën e dytë suharekasit ia dolën të shënojnë në portën e Dukagjinit edhe tri herë të tjera, duke marrë kështu një fitore të madhe në Klinë.
Për rezultatin 3-0 Bleart Tolaj e gjeti rrjetën në minutën e 49-të, teksa i njëjti realizoi në minutën e 64-të për 4-0 pas asistimit nga Queven Inacio.
Sa i përket epilogut përfundimat të takimit 5-0 u përkujdes Bernard Karrica i cili në minutën e 90-të realizoi pas një dalje të shpejtë të mysafirëve.
Pas kësaj fitore Ballkani shkon në kuotën e 50 pikëve dhe tani ka 10 më pak se Drita që është lider me 60 sosh, por me këta të fundit që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Dukagjini në anën tjetër mbetet në kuotën e 35 pikëve dhe aktualisht pozicionohet e shtata në renditjen tabelare.