Te skuadra e Ballkanit e pranojnë se rrugëtimi deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës ka qenë shumë i vështirë. Vështirë thonë se do të jetë edhe në fazën e grupeve. Por lojtarët e skuadrës suharekase e pranojnë se presionin që e kishin në fazën kualifikuese nuk do ta kenë në ndeshjet e fazës grupore. Ata janë trimëruar me kalimin në grupe dhe tani synojnë që të arrijnë edhe më shumë suksese. Të mbledhin sa më shumë pikë.
Kapiteni i skuadrës, Edvin Kuç, thotë se objektivi është arritur me kalimin në fazën e grupeve, por shton se në ndeshjet ndaj Slavia Pragës çeke, Sivassporit turk dhe Clujit rumun, nuk do të hyjnë me flamur të bardhë. Ballkani bën pjesë në grupin G.
“E rëndësishme për ne është që jemi kualifikuar në grupe fillimisht. Tash presioni është larguar dhe në grupe nuk do të shkojmë për aventurë. Do të provojmë të marrim pikë dhe të shkruajmë sërish histori, pse jo”, ka thënë Kuç për Kohën.
Kapiteni Kuç dhe bashkëlojtarët e tij u kthyen në stërvitje të shtunën në Drenas, kurse për ta, tani fillon cikli i përgatitjeve për ndeshjet e tjera në Evropë. Ata stërvitën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” për shkak të punimeve që po bëhen në stadiumin në Suharekë. Por, kjo nuk pengoi harmoninë brenda ekipit.
“Kemi pasur skuadra të forta por ne kemi treguar potencialin tonë, kemi treguar shumë kualitet. E kemi arritur qëllimin tonë dhe kjo falë grupit shumë të mirë që e kemi. Neve na mbetet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë. Pse jo, të synojmë edhe më shumë”, thotë Meriton Korenica, që shënoi dy golat vendimtar për skuadrën e Ballkanit ndaj Shkupit.
Në Shkup, Korenica e shënoi golin e fitores 2:1, ndërsa në “Fadil Vokrri” ishte shënues i golit të fitores 1:0.
Goli i fitores në Prishtinë u shënua edhe falë kontributit që dha Albion Rrahmani. Rrahmani është golashënuesi më i mirë i kualifikimeve të Ligës së Konferencës. Shënoi plot shtatë gola dhe u vlerësua shumë për paraqitjet.
Qendërsulmuesi 21-vjeçar vlerëson se grupi në garën e tretë më të rëndësishme të UEFA-s është i fortë, por nuk ka lexuar se çfarë kanë deklaruar kundërshtarët. Te Slavia ditë më parë kanë thënë se kanë shpresuar në grup me kundërshtarë më të njohur, duke injoruar Ballkanin dhe skuadrat e tjera.
“Të them të drejtën nuk i kam dëgjuar se çfarë kanë thënë ata. Ne do të shkojmë në çdo ndeshje për të luftuar, për të marrë maksimumin dhe të mos jemi arrë e lehtë për asnjë kundërshtar”, ka thënë Rrahmani, që ka besimin në cilësinë e ekipit.
Forcimi i mbrojtjes
Armend Thaqi ishte një tjetër futbollist i dalluar në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Në fakt, dominimin në krahun e djathtë të mbrojtjes, Thaqi e ka dëshmuar tash e disa vjet në futbollin kosovar.
Thaqi thekson se Ballkani duhet të jetë më i vëmendshëm në fazën e mbrojtjes. Me ardhjen e Leotrim Bekteshit, mbrojtja suharekase pritet të jetë më bindëse.
“Ndoshta kemi pasur edhe fat në short për shkak se pa fat nuk do të mund të arrinim këtu, por thonë se fati i përcjellë trimat. E kemi shfrytëzuar më së miri atë short që kemi pasur dhe mendoj që jemi me meritë në fazën e grupeve. Mendoj se si ekip në mbrojtje nuk kemi qëndruar bash mirë. Kemi pranuar disa gola të lehtë që nuk është dashur të pranohen. Sidomos në dy ndeshjet me Klaksvikun. Kanë qenë gola të evitueshëm. Por, këto lihen prapa të gjitha, kemi arritur një qëllim, një mision shumë të madh. Na mbetet që gabimet që kemi bërë në ndeshjet kualifikuese, të mos i përsërisim në fazën grupore por edhe në kampionat. Duhet ta dëshmojmë se jemi kampion dhe se e kemi fituar me meritë titullin dhe ta mbrojmë atë”, tha Thaqi.
Synohet fitorja
Nisja e fazës përgatitore më 3 qershor, për futbollistin Nazmi Gripshi ishte e hershme dhe e mundimshme. Por ai thotë se kjo u shpagua. Gripshi lavdëron gjithë ekipin për angazhimin, ndërsa në grupe të Ligës së Konferencës pret edhe fitore.
“Nëse ne shënojmë, aksioni ka nisur nga Stivi Frashëri apo Damir Lulanoviqi që kanë qenë në portë, dhe gjithë ekipi ka arritur që ta sjellë topin deri te zona e golit. Kemi qenë këta dy vjet bashkë dhe kjo ka bërë që ta njohim njëri-tjetrin në të gjitha aspektet. Mendoj që ne do të bëjmë maksimumin që të marrim ndonjë fitore dhe barazim pse jo”, është shprehur Gripshi.
Një 19-vjeçar shpërtheu me ardhjen e trajnerit Ilir Daja. Lindon Emërllahu po vlerësohet prej më të mirëve në futbollin kosovar për pozitën e mesfushorit defensiv. Emërllahu i ri po shfaq goxha potencial. Ai meritat ia jep trajnerit Ilir Daja, i cili i besoi.
“Prej ardhjes së trajnerit Ilir Daja kanë ndryshuar shumë gjëra për të mirë. Po ashtu edhe për klubin, por edhe për mua. Kemi besim të plotë, kemi kualitet dhe shpresoj pse jo t’i kalojmë grupet”, ka deklaruar mesfushori i talentuar.
Ballkani e nis fazën e grupeve më 8 shtator ndaj Clujit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Më 15 shtator luan në udhëtim te Slavia Praga, më 6 tetor i shkon Sivassporit. Më 13 tetor e pret skuadrën turke. Më 27 tetor luan në “Fadil Vokrri” ndaj Slavia Pragës, dhe fazën e grupeve e mbyll në udhëtim te Cluji, më 3 nëntor.