Barcelona pritet t’i mbyll me sukses transferimet e Joao Felix dhe Joao Cancelo gjatë ditës së sotme.
Klubi katalunas ka qenë shumë i angazhuar në këtë afat kalimtar, duke transferuar emra të rinj, por edhe duke larguar lojtarë të parëndësishëm.
Shumë ndryshime kanë ardhur edhe për faktin e problemeve financiare dhe disa nga transferimet e reja mezi kanë arritur të regjistrohen në La Liga.
Megjithatë, Barcelona nuk do të ndalet, pasi sot (e enjte) synon t’i mbyll me sukses edhe dy transferime për të kompletuar ekipin për sezonin 2023/24.
Bëhet fjalë për mbrojtësin anësor, Joao Cancelo, i cili pritet të vijë nga Manchester City dhe sulmuesi Joao Felix nga Atletico Madrid.
Sipas gazetarit të afërt me Barcelonën, Gerard Romero, Cancelo do të fluturojë sot për në qytetin katalunas për të finalizuar marrëveshjen.
Ai do t’i nënshtrohet testeve mjekësore, përpara se të nënshkruajë kontratën për një vit huazim të thjeshtë, pasi opsioni i blerjes nuk i është pranuar nga La Liga.
Sipas gazetës Relevo, edhe Felix është shumë afër t’i bashkohet Barcelonës në formë huazimi për sezonin 2023/24.
Megjithatë, nëse një marrëveshje mund të finalizohet do të varet nga Fair Play Financiar, pasi Barcelona do të pastrojë hapësirën në faturës së pagave me largimin e Clement Lenglet dhe Ansu Fati.