Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilloi bisedë me baroneshën Arminka Heliq nga Dhoma e Lordëve e Parlamentit Britanik.
Në këtë takim u diskutua ballafaqimi me të kaluarën.
Në njoftimin e lëshuar nga Kryeministria, thuhet se gjatë bisedës me baroneshën Heliq, Kurti ka konfirmuar përkushtimin e qeverisë për luftimin e krimit dhe korrupsionit, reformën në drejtësi dhe angazhimin për tërheqjen e investimeve, të cilat krijojnë vende të reja të punës.
Ai theksoi se ekonomia është përgjigjur pozitivisht, me rritje ekonomike prej 9.9% sipas Bankës Qendrore të Kosovës.
Baronesha e uroi kryeministrin për të arriturat dhe progresin, dhe i dëshiroi suksese në qeverisje. Ajo shprehu mbështetje për programin e Qeverisë, duke theksuar se sukseset e Kosovës, janë suksese edhe për rajonin e Ballkanit.
“Jam e inkurajuar kur shoh se qeveria u përgjigjet kërkesave të popullit për drejtësi dhe punësim dhe ofron stabilitet”, tha ajo.
“Përderisa Kosova të mos jetë e zonja e vetes dhe rajoni të mos ndikohet nga shtetet fqinje dhe politika ruse, nuk mund të vendoset paqja në Ballkan”, theksoi baronesha.
Ndërsa, kryeministri Kurti bashkë me zëvendësministren e Drejtësisë, njëherit Koordinatore Nacionale kundër Dhunës në Familje, Nita Shala, dhe nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, biseduan me baroneshën Heliq edhe për nismat institucionale për ballafaqim me të kaluarën.
U veçua nisma për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës dhe hartimi i Strategjisë për drejtësi tranzicionale.
Gjatë takimit u bisedua për sfidat e proceseve për njohje dhe drejtësi për të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. U theksua puna e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, në një proces të ndjeshëm dhe tejet të rëndësishëm për të ardhmen e të mbijetuarve, dhe për gjithë shoqërinë.
Në fund gjithashtu u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe. /Gazeta Enigma/.