Basha fton gazetarët në selinë e PD-së, u tregon dëmet nga protesta

Basha fton gazetarët në selinë e PD-së, u tregon dëmet nga protesta

Protestuesit demokratë sulmuan të shtunen selinë e Partisë Demokratike dhe siç duket nga pamjet, dëmet materiale janë të shumta.

Mbështetësit e ish-liderit demokrat Sali Berisha përdorën leva, çekiçë, gurë dhe sende të tjera për të thyer dyert dhe xhamat e selisë blu.

Kryedemokrati i ftoi gazetarët për të dhënë një deklaratë për mediet, por në fillim u tregoi gjendjet e zyrës së tij. Protestuesit nuk kanë kursyer as dokumente apo pajisje elektronike.

Ndërkohë, selia e PD-së konsiderohet tashmë një skenë krimi. Pasi u larguan protestuesit, grupi hetimor bëri këqyrjen e zonës.

Deri më tani, disa shtetas janë shoqëruar në polici, ndërsa kryeprokurorja Elizabeta Imeraj, u shpreh se do të ndiqet çdo situatë dhe se përgjegjësit do të përgjigjen para ligjit.

Do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë në akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë, njoftoi policia.

Kjo e shtunë ka shënuar kulmin e një lëvizje që ish-kryeministri, Sali Berisha, ndërmori kundër kryetarit Lulzim Basha, pas vendimit të këtij të fundit për ta lënë jashtë grupit parlamentar të PD-së, për shkak të vendimit të Shteteve të Bashkuara për ta shpallur “non grata” ish-liderin e forcës më të madhe opozitare në vend së bashku me familjarët e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët.

VIDEO

Related Articles