Basha reagon pas dënimit të Lekajt: Qesharake, ky dënim i jep shpresë kriminelëve

Basha reagon pas dënimit të Lekajt: Qesharake, ky dënim i jep shpresë kriminelëve

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka shpallur sot aktgjykim dënues ndaj deputetit të AAK-së, Pal Lekaj dhe tre të tjerëve në rastin e njohur si “53 milionëshi”.

Gjykata e dënoi me tri vite e tetë muaj burgim deputetin e AAK-së, Pal Lekaj.

Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

E ndaj këtij dënimi ka reaguar deputeti i LVV-së, Dimal Basha i cili e ka quajtur qesharak vendimin e Gjykatës Themelore.

“Dënimi me 44 muaj burgim për 53 milion euro është qesharak! Kjo miq i bie që 53 milion euro dëm po lahen me 1,320 ditë burg, ose ndryshe thënë, kjo i bie se 1 ditë burg për çdo 40 mijë euro dëm shtetit. TURP! Ky dënim i jep shpresë kriminelëve”, ka shkruar Basha.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 26 janar 2024, Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit, kurse mbrojtja lirimin e tyre nga akuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Related Articles