Në Hagë po vazhdon procesi paragjyqësor ndaj ish-krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, por ende nuk ka një datë për nisjen e gjykimit.
Nevenka Tromp, e cila për më shumë se një dekadë ka qenë hulumtuese në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së duhet ta përqendrojë të gjithë energjinë që gjykimi të nisë sa më shpejtë, pasi që materialet shfajësuese mund të nxirren nga Prokuroria edhe gjatë gjykimit.
“Nuk mendoj se është realiste dhe e imagjinueshme që në një mega-projekt, Prokuroria mund t’i dorëzojë të gjitha materialet shfajësuese, posaçërisht para se të nisë gjykimi. Mbrojtja duhet të marrë parasysh se një sasi e madhe [e materialeve] që Prokuroria ka mbledhur, do t’i jepet gjatë gjykimit”, thotë Tromp.
Nevenka Tromp nuk i hedh poshtë shqetësimet e mbrojtjes sa i përket çështjes së bashkëpunimit midis ZPS-së dhe autoriteteve serbe.
Tromp thotë se për këtë temë mund të mësohet shumë nga rasti në Tribunalin e Hagës ndaj ish-Presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, pasi që sipas saj institucionet serbe, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshme, në përgjigje të akuzave kanë prodhuar dëshmi post-faktike, përfshirë raporte dhe harta.
“Shqetësimi [i mbrojtjes] është jashtëzakonisht legjitim dhe mendoj se mbrojtja duhet të jetë e vetëdijshme për këtë. Gjykimi i Millosheviqit paraqet një vlerësim të rëndësishëm për këtë çështje të veçantë. Sepse, në gjykimin e Millosheviqit ne kemi demaskuar të ashtuquajturin Komision të Ushtrisë Jugosllave për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, ku shumë prej këtyre dokumenteve post-faktike janë bërë me qëllim shfajësimin e shtetit të Serbisë dhe të gjithë individëve, përfshirë Millosheviqin”, thotë ajo.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, sipas aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara më 26 tetor të vitit 2020, konsiderohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Për shkak të distancës kohore kur krimet dyshohet se janë kryer, Tromp thotë se ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet që provat forenzike, sikurse skenat e krimit e objektet e tjera forenzike, të jenë minimale. Por, qenësore, sipas saj, do të jenë dëshmitë e dëshmitarëve, të cilat, siç thotë ajo, duhet të mbështeten në dokumente.
Sipas Tromp, pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve pritet të vijnë nga Beogradi.
“Dëshmitë e dëshmitarëve nuk vlejnë asgjë nëse nuk mbështeten nga prova të dokumentuara, pra dokumente. Dhe këtu, shumica e këtyre dokumenteve kryesisht do të vijnë nga Beogradi. Beogradi është jashtëzakonisht i interesuar t’i ofrojë Prokurorisë materiale të shumta, aq më shumë, aq më mirë. Por, më pas, është detyrë e Prokurorisë që t’i përputh dëshmitarët me dokumentet”, thotë ajo.
Tromp thotë se të gjitha dokumentet që ka ZPS-ja duhet të vërtetohen. Sipas saj, në data-bazën e Prokurorisë duhet të përfshihen informacione, të tilla si nga burojnë dokumentet, kush i ka ofruar ato dhe kohën kur janë krijuar.
“Bazuar prej burimit dhe kohës kur është krijuar dokumenti [që do të mbështesin dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë], gjatë pyetjeve që parashtron mbrojtja ndaj dëshmitarëve gjatë gjykimit, mbrojtja mund t’i ofrojë argumentet e saj për t’i hedhur poshtë dhe për të kërkuar nga gjykatësit që t’i hedhin poshtë këto dokumente”, thotë ajo.