Bashkëpunimi mes Serbisë e Shqipërisë në kulturë në harmoni me “Open Balkan”

Bashkëpunimi mes Serbisë e Shqipërisë në kulturë në harmoni me “Open Balkan”

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Serbisë, Vladimir Pishtalo, ka qëndruar në Shqipëri në një vizitë ditore.

Bashkë me udhëheqës të institucioneve të kulturës e të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, Pishtalo synon që të ngrejë ura bashkëpunimi ndërinstitucional.

Udhëheqësi i institucionit më të lartë bibliotekar të Serbisë, të martën e të mërkurën ka vizituar Tiranën me ftesë të drejtores së Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Leximit, Alda Bardhyli. Ai ishte nikoqir i Bardhylit në Beograd në nëntor të vitit të kaluar. Të mërkurën, Pishtalo u prit nga drejtori i Muzeut Kombëtar Historik, Dorian Koçi. Sipas raportimeve të mediave shqiptare, dyshja u dakordua për marrëdhënie ndërinstitucionale e bashkëpunime potenciale.

Kurse në konferencën për media të mbajtur me Alda Bardhylin të martën, raportohet se Pishtalo vlerësoi takimet bilaterale midis dy institucioneve si të rëndësishme në ngritjen e urave të bashkëpunimit kulturor dhe letrar midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe në mbështetje të autorëve shqiptarë dhe atyre serbë.

Siç raportohet, ndër pikat e paraqitura si nisje të këtij bashkëpunimi, Pishtalo veçoi punën e ngritur për krijimin e një antologjie të përbashkët me tre autorë shqiptarë dhe tre autorë serbë, në gjuhën shqipe dhe atë serbe. Po ashtu, projektet e përbashkëta në kulturë është thënë se janë në mbështetje të projektit “Open Balkan”. Në këtë nismë janë të përfshira Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Është nismë rajonale për njëfarë liberalizimi të tregut e lëvizjeve të qytetarëve.

“Nisja e një perspektive për projekte kulturore në fushën e librit dhe të arteve midis dy vendeve dhe hartimin e programeve të përbashkëta në ndihmesë të autorëve shqiptarë për përkthimin e veprave të tyre në gjuhën serbe dhe anasjelltas; propozimin për një ribotim të plotë të veprës së Ismail Kadaresë, si një prej shkrimtarëve më përfaqësues shqiptarë, por edhe të rajonit”, shkruhet në raportimin që i ka bërë takimit Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Por bashkëpunimet e Shqipërisë në fushën e kulturës me shtete të tjera të rajonit nuk kanë shkuar aq mirë. Të paktën jo me Kosovën. Shqipëria dhe Kosova prej vitit 2014 nënshkruajnë kalendarë të përbashkët kulturorë e protokolle për bashkëpunime ndërinstitucionale. Shumica e marrëveshjeve kanë ngelur vetëm në letër.

Në anën tjetër, bashkëpunimi kulturor midis Kosovës dhe Serbisë mbetet në kuadër të individëve dhe organizatave joqeveritare. Kosova tash e dy dekada pret kthimin e 1247 eksponateve të marra nga Muzeu Kombëtar i Kosovës për gjoja një ekspozitë në Beograd. Vitin e kaluar institucionet serbe nuk kishin kthyer përgjigje ndaj shkresave të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Bile kërkesën e Kosovës për kthimin e eksponateve të marra në fund të viteve ’90, institucionet serbe e kishin komentuar si provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles