Qeveria e Kosovës planifikon të kalojë Projekt-kodin e ri Civil gjatë muajit maj.
Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti të enjten (25 prill), gjatë një fjalimi në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës.
Në këtë projekt-kod bën pjesë edhe bashkësia e të njëjtës gjini, për çka pati marrë kundërshtime nga vetë deputetët e partisë së tij.
Aktualisht, Mali i Zi është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që lejon bashkësitë civile të të njëjtit seks, pasi një përpjekje e mëparshme për t’i futur ato në Kosovë nuk u votua në parlament në vitin 2022.
“Më lejoni t’ju jap një shembull. Kosova do të synojë që së shpejti të bëhet vendi i dytë në Ballkanin Perëndimor, pas fqinjëve tanë në Malin e Zi, duke u ofruar qytetarëve të saj të drejtën e bashkimeve civile të të njëjtit seks. Ne do të punojmë shumë për ta kaluar këtë në të ardhmen shumë të afërt”, ka thënë Kurti në ngjarjen e SPD-së.
Kryeministri u shpreh i sigurt se do të arrijë shumicën parlamentare që ky projekt-kod të kalojë.
“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar Kurti.
Kalimi i bashkësive të të njëjtit seks do të ishte një hap i rëndësishëm, pasi do ta bënte Kosovën gjithashtu vendin e parë me shumicë myslimane që i legalizon ato.
Ndër të tjera, Kurti i ka thënë mediumit “Euractiv” se, ndryshe nga viti 2022, ai e ka mbështetjen e shumicës së deputetëve të partisë së tij “për një votim të planifikuar për në maj”.
Ky medium thotë se kryeministri është i sigurt se Projekt-kodi i ri civil do të kalojë, edhe pse duhet të bindë edhe 11 deputetë të opozitës.
Kurti ndërkaq, në këtë tubim ka thënë se kalimin e Kodit të ri Civil, Kosova do ta bëjë “sepse është e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në Kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet”.
“Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Evropës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, është shprehur kryeministri.
Më 16 mars të vitit 2023, Projekt-kodi Civil nuk kaloi në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës. Mospajtimet e deputetëve ishin lidhur me nenin që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i “bashkësive civile” ndërmjet personave me gjini të njëjtë.
Më herët, krerët e bashkësive fetare në Kosovë e kishin kundërshtuar lejimin e “bashkësive civile”, pasi thanë se ripërkufizohet familja dhe martesa.
Çka thotë Projekt-kodi Civil për martesat ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë?
Kundërshtimet më të zëshme ndaj Projekt-kodit Civil kishin të bënin me nenin 1138. Ky nen parasheh hartimin e një ligji që do t’i lejonte “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta”.
Megjithatë, ai përcakton që martesa është “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme”, që do të thotë se nuk mundëson martesën midis personave të gjinisë së njëjtë.