Edhe në edicionin e ri në Superligën e Kosovës në basketboll, klubet do të jenë të mbushura me trajnerë të huaj.
Prej tetë klubeve në Superligë, vetëm një do të ketë në krye trajner nga Kosova. Bëhet fjalë për Ponte Prizrenin, ekip që është pjesë e elitës prej edicionit 2018/19. Në krye të këtij ekipi do të jetë sërish Arbnor Rifati, i cili është kryesori në klub. Ai ndër të tjera është edhe themelues i klubit nga Prizreni.
Në edicionin e ri, që starton muajin e ardhshëm, shkupjani Muhamed Thaqi do të jetë trajneri i skuadrës së Rahovecit. Gjashtë skuadrat e tjera, Golden Eagle Ylli, Trepça, Peja, Sigal Prishtina, Bashkimi dhe Vëllaznimi i rikthyer në elitë, do të udhëhiqen nga trajnerë të huaj.
Angazhimi i trajnerëve të huaj nga klubet kosovare të basketbollit është në rritje vitet e fundit. Madje ka raste kur skuadrat brenda një edicioni i ndërrojnë deri në tre trajnerë, të gjithë të huaj. Por tani klubet nuk po mjaftohen vetëm me trajnerë nga vende të tjera. Të huaj po i marrin edhe ndihmësit e trajnerëve.
Ekrem Memnunit, trajnerit nga Turqia me prejardhje shqiptare, do t’i ndihmojë Murat Bilge te Prishtina. Memnun ka punuar më herët te Prishtina dhe në këtë post e zëvendëson kroatin Ante Nazor. Trajnerit kroat të Vëllaznimit, Franko Sterle, do t’i asistojë bashkëkombësi i tij, Josip Plantak.
“Që në kontaktin e parë klubi tregoi një seriozitet dhe ambicie të madhe kështu që shumë shpejt nisëm bashkëpunimin. Shpresoj të jemi konkurrues. Do të jetë shumë e vështirë, por ne jemi këtu për të punuar dhe për të luftuar. Sigurisht që me njohuritë dhe përvojën e tij do të ndihmojë shumë Josip Plantak, të cilin e mora me vete këtë sezon”, ka thënë Sterle ditë më parë për Kohën.
Adis Beçiragiq do të jetë në krye të Yllit edhe për sezonin e tretë rresht. Boshnjaku në dy edicionet e fundit ka pasur suksese të mëdha me ekipin nga Suhareka, duke e udhëhequr drejt dy titujve të kampionit, triumfit në Ligën Unike dhe Superkupës Mbarëkombëtare. Ai më herët ka qenë trajner te Peja.
Edhe skuadra e Trepçës i ka besuar trajnerit nga Bullgaria, Lubomir Minchev, që e fitoi Kupën e Kosovës dhe arriti deri në finale të serisë së plejofit në kampionatin e kaluar. Te Bashkimi i Prizrenit, ekipin ia kanë besuar trajnerit nga Maqedonia e Veriut, Darko Raduloviq. Raduloviq e mori ekipin pak para përfundimit të pjesës së rregullt dhe arriti t’ia sigurojë një vend në garat e plejofit përpara se të eliminohej në çerekfinale nga Peja.
Skuadra e Pejës i ka besuar një trajneri nga Turqia, sikurse sezonin e shkuar që e nisi me Shemsetin Bashin dhe e përfundoi me Marin Dokuzovskin. Can Sevim, që konsiderohet trajner perspektiv dhe ka punuar vitet e fundit në elitën e basketbollit turk, tashmë ka nisur përgatitjet me skuadrën pejane.
Në skuadrat kosovare kanë insistuar se janë të detyruar të angazhojnë trajnerë të huaj për shkak të ngritjes së nivelit të Superligës. Po ashtu kanë thënë se shumica e trajnerëve të huaj i kanë ndihmësit kosovarë, të cilët mund të marrin përvojën e duhur dhe në të ardhmen e afërt të drejtojnë skuadrat.
Te Bashkimi janë të kënaqur me punën që po e bën Raduloviq dhe atë që ka treguar sezonin e shkuar kur ekipi rrezikonte të mbetej i parafundit dhe të luante në ndeshjen e plejautit. Në plejaut mbeti Rahoveci që sezonin e nisi me grekun Takis Fotianos, vazhdoi me turkun Serhat Shehit për ta përfunduar me Ljupço Malinkovin e Maqedonisë së Veriut.
“Ne kemi angazhuar trajnerin Raduloviq që ka bërë një punë të mirë sezonin e shkuar dhe mendojmë që edhe sezonin e ri mund të bëjë një punë të mirë. Nuk është se kemi neglizhuar trajnerët vendorë, por është ngritur niveli kohët e fundit në Superligë. Vitet e fundit ka pasur trajnerë të njohur që kanë punuar nëpër ekipet tona, kështu që edhe ne jemi të detyruar të angazhojmë të huaj për të qenë më garues”, është shprehur Arlind Kaçaniku, drejtori gjeneral i Bashkimit. “Po ashtu trajneri i huaj ka autoritet më të madh dhe bën një punë profesionale. Afër tij kemi dy ndihmës vendorë, të cilët kanë rastin të punojnë, të marrin përvojë dhe në të ardhmen ta marrin drejtimin e ekipit të Bashkimit. Ky është edhe synimi ynë si klub”.
Sa u përket trajnerëve vendorë, Kaçaniku ka thënë se ata duhet të investojnë më shumë në vete dhe të marrin përgjegjësi më të madhe. Sipas tij, trajnerët kosovarë duhet të marrin drejtimin e ndonjë klubi më të vogël për ta dëshmuar punën e tyre.
“Trajnerët tanë duhet të investojnë në vete, të punojnë dhe të ngrenë nivelin duke pasur parasysh se klubet gjithnjë e më shumë po shkojnë kah profesionalizmi”, u shpreh Kaçaniku.
Trendi i angazhimit të trajnerëve të huaj nuk është vetëm në Superligën e meshkujve. Kohët e fundit edhe skuadrat e femrave po iu besojnë të huajve. Skuadra e Penzës në dy edicionet e fundit e ka fituar titullin e kampionit nën drejtimin e trajnerit nga Mali i Zi, Milan Rondoviq. Ndërsa trajnerë të huaj nga Turqia e Kroacia ka angazhuar edhe skuadra e Bashkimit.