Superliga e Kosovës në futboll është kthyer në aksion këtë vikend me ndeshjet e xhiros së 19-të, shkruan Gazeta Enigma.
Klubi Futbollistik “Llapi” ka shënuar fitore të rëndësishëm ndaj Ulpianës me rezultatin, 2-0.
Golat për llapjanët i realizuan sulmuesi Alban Shillova dhe një autogol nga Qlirim Avdulli.
Kujtojmë që kjo ndeshje e ka kthyer Llapin në shtëpi, në stadiumin “Zahir Pajaziti” pas një kohe të gjatë.
Pas ndeshjes, trajneri i Llapit tha se skuadra e tij tregoi lojë të mirë dhe potencoi se në stadiumin “Zahir Pajaziti” askush nuk do të marrë pikë.
“Në pjesën e parë ishim t’u festu, në pjesën e dytë kemi lujtë futboll, ne pjesën e parë ka qenë emocionale, pasi u rikthyem në stadium”, tha fillimisht Batatina për Art Sport.
“Në pjesën e dytë kërkova të ndryshojmë taktikën dhe erdhëm deri tek golat. Kemi mundur të realizojmë ende gola, sot kemi treguar që do të jemi një Llap i pamposhtur në Zahir Pajaziti, këtu pikë nuk do të marrë askush, për këtë ju garantoj. Do të luftojmë deri në fund për titull të kampionit, unë besoj shumë tek këta djemë. Jemi pesë pikë largë kreut dhe kjo diferencë do të shkrihet sikur bora e pranverës, tani kemi infrastukturë, kemi bërë organizim për këtë. Me këtë stadium, ne do ta themi fjalën kryesore në këtë kampionat”, përfundoi Batatina.
/Gazeta Enigma/