Batatina: Nëse Kosova humb nga Suedia, Foda duhet të largohet – nuk na duhet një selektor që nuk na kualifikon

Batatina: Nëse Kosova humb nga Suedia, Foda duhet të largohet – nuk na duhet një selektor që nuk na kualifikon

Trajneri kosovar, Tahir Batatina, ka thënë se Franco Foda do të duhej të largohet nga Kosova nëse nuk fiton ndaj Suedisë.

Batatina deklaroi se humbja nga Zvicrra ka zvogëluar shaneset për kualifikim në Kampionatin Botëror dhe nëse nuk fitohet ndeshja ndaj Suedisë, atëherë gjasat janë shumë të vogla.

”Kjo humbje ka shkaktuar shumë probleme për kualifikim. Jam realist, nuk jam me ja bo qejfin vetes por nëse në ndeshjen ndaj Suedisë marrim rezultat pozitiv, pra nëse marrim pikë të plota, pasi me barazim nuk mundesh me u kualifikua. Nëse fitojmë me Suedinë e këna një gjasë që ne duhet të presim momentin kur luajmë ndeshjen me Zvicrën në Prishtinë, të ndryshojmë taktikisht dhe të marrim pikë, përndryshe nëse humbim të hënën, gjasat janë shumë të vogla për kualifikim, pasi kundërshtarët nuk bëjnë gabime që i këna bërë ne.”, ka thënë Batatina.

Ai po ashtu deklaroi se nëse Kosova nuk e fiton ndeshjen me Suedinë, atëherë trajneri Franco Foda duhet të largohet, pasi Kosovës nuk i duhet një selektor që nuk e kualifikon në një Kampionat Evropian apo Botëror.

”Mendoj se nëse humbet ndeshja me Suedinë, Foda duhet të largohet. Kosovës nuk i duhet asnjë selektor që nuk e kualifikon, nuk na duhet selektor që del në televizor me jep deklarata, nuk na duhet një selektor me bo grumbullimin me lojtarët që i njohim, neve na vyen një selektor që na kualifikon. Nuk na vyen loja e mirë as me dal e me bo show, por po na vyen me u kualifikua, pasi ka lojtarë që luajnë në Seria A, La Liga e Bundesligë dhe kampionate tjera evropiane dhe është zhgënjyese që me këta lojtar me humb me rezultat 4-0 ndaj Zvicrës.’‘, tha Batatina për IndeksOnline.

Trajneri i Llapit u shpres se Foda duhet të ndryshoj qasjen taktike për ndeshjen ndaj Suedisë, nëse dëshiron fitore, pasi dihet se kundërshtari i ardhshëm ka futbollistë cilësorë dhe të rrezikshëm.

”Për ndeshjen me Suedinë duhet të ndryshohet komplet qasja taktike në fushë. Ajo çfarë është me rëndësi, faza e defensivës duhet të rregullohet, e cili nuk funksionoi ndaj Zvicrës, dhe  mesfusha fare hiq, e nëse në mesfushë nuk intervenon selektori mendoj se do ta këna të vështirë të marrim rezultat pozitiv. Kombëtarja suedeze ka lojtarë cilësor që dinë të dënojnë në kundërsulme dhe nga ndërprerjet, pasi punojnë shumë në atë pjesë dhe do të jetë ndeshje e vështirë.”, deklaroi Tahir Batatina.

Related Articles