Drejtori sportiv i Bayern Munichut, Christoph Freund, ka konfirmuar interesimin e kampionit gjerman për yllin kosovar, Fisnik Asllani, i cili prej muajsh është në radarin e skuadrave të mëdha në Bundesliga.
Si Bayern ashtu edhe Borussia Dortmund e kanë bërë prioritet transferimin e qendërsulmuesit gjatë verës, periudhë në të cilën mund të aktivizohet klauzola e lirimit të tij, e cila kap vlerën prej 30 milionë eurosh.
Freund, në një intervistë për “Sky”, shprehu hapur vlerësimin për Asllanin, duke konfirmuar se Bayern po e përcjell nga afër zhvillimin e tij.
“Lojtar i mirë që shënon shumë gola. Një lojtar i mençur i cili është përmirësuar mirë. Ka pasur disa huazime që e bënë të ketë një progres shumë të mirë”, tha ai.
“Mendoj se është lojtar interesant, i mirë, shumë kanë folur për të. Janë disa lojtarë që po përmirësohen mirë. Por, siç kam thënë, jam shumë i lumtur me ata që kemi dhe si jemi në skuadër”, shtoi Freund.
Negociatat mes palëve kanë nisur, por ende asgjë nuk është finalizuar. E sigurt, megjithatë, është që Asllani do të largohet nga Hoffenheim në verë për t’u bashkuar me një ekip që garon në Ligën e Kampionëve.
