Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se shumica e shqiptarëve të kthyer me forcë në shtëpi nga Britania e Madhe këtë vit vuanin dënimin për krime të ndryshme atje.
BBC ka folur me shqiptarët që u kthyen në vendlindje dhe mësoi se disa të burgosurve iu ofruan 1500 paund për t’u larguar dhe disa planifikojnë të kthehen. Çdo javë, një turmë e vogël mblidhet në gardhin me tela të vendosur në pjesën e pasme të aeroportit të Tiranës në Shqipëri.
Fluturimet për deportimin e tyre në Shqipëri janë rritur që kur vendi nënshkroi një marrëveshje të përbashkët bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar dhjetorin e kaluar, për të penguar migrimin e paligjshëm.
Zyra e Brendshme e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se më shumë se 1000 njerëz janë kthyer që atëherë, raporton abcnews.al.
BBC foli me dhjetëra njerëz muajin e kaluar dhe zbuloi se shumica vinin nga burgjet e Mbretërisë së Bashkuar. Disave u ishin ofruar para në këmbim të dëbimit dhe u liruan nga burgu përpara se të vuanin dënimin e tyre minimal.
Policia shqiptare konfirmoi se shumica e atyre që u kthyen me forcë këtë vit u dënuan për krime në Britani. Një 30-vjeçar tha se ai kishte vuajtur një dënim prej 6 vitesh për drogë dhe u lirua pas dy vitesh.
Ai kërkoi t’i fshihej identiteti, kështu që BBC e quajti Mark.
“Oficeri i emigracionit erdhi të na takojë”, tha ai. “Ata ju pyesin nëse doni të ktheheni në Shqipëri apo të qëndroni në Mbretërinë e Bashkuar. Ata shpjeguan se nëse ktheheni, ju heqin një vit nga dënimi.”
Markut iu ofruan gjithashtu 1,500 paund në mbështetje financiare për t’u kthyer në shtëpi, sipas një programi të veçantë të quajtur Skema e Kthimit të Lehtësuar (FRS).
Në një dokument të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar theksohet qartë se skema është “një stimul financiar” që u ofrohet të burgosurve me kusht që ata të bashkëpunojnë dhe të heqin dorë nga e drejta e tyre për të apeluar kundër tij.
Mark u deportua sipas Skemës së Lirimit të Parakohshëm të Mbretërisë së Bashkuar (ERS), e përdorur për të burgosurit e huaj të të gjitha kombësive.