“BE dhe SHBA e dëshirojnë normalizimin sa më të shpejtë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”

“BE dhe SHBA e dëshirojnë normalizimin sa më të shpejtë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”

Për momentin vetëm propozuesit dhe negociatorët janë të njohur me përmbajtjen e plotë dhe zyrtare të propozimit evropian për normalizim, i cili nga opinioni ndërkombëtar interpretohet si mjet për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Miroslav Lajçak zbuloi se ai përbëhet nga njëmbëdhjetë pika, duke refuzuar të thotë më shumë, duke pretenduar se gjithçka tjetër nuk do të ishte e dobishme në fazën aktuale të negociatave.

Diplomati amerikan, Charles Kupchan, i cili gjatë karrierës së tij diplomatike, ndër të tjera, nga 2014-2017, shërbeu si asistent special i presidentit amerikan, thotë se nuk e ka ndjesinë se për momentin BE-ja dhe SHBA-ja po anojnë nga ndonjëra palë në bisedime.

“Jam i sigurt se ata dëshirojnë shumë që puna të përfundojë dhe të dalin nga periudha në të cilën marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe destabiliteti në Bosnje dhe Hercegovinë – e kthyen Ballkanin në qendër të vëmendjes. Pavarësisht se SHBA dhe BE janë kryesisht të preokupuara me luftën në Ukrainë. Aspirata e tyre e përbashkët është të bëjnë gjithçka që është e nevojshme që të dyja palët të arrijnë qëllimin – kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thotë Kupchan.

Sipas interpretimit të një pjese të opinionit ndërkombëtar, mosmarrëveshja e pazgjidhur prej disa dekadash mes Serbisë dhe Kosovës po i ofrojnë Rusisë një fushë të hapur për zgjerimin e papenguar të ndikimit të saj në Serbi dhe në një pjesë të Ballkanit, të cilin ajo i përdor për të destabilizuar atë zonë.

“Zgjidhja graduale e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe marrëveshja përfundimtare, për mendimin tim, do të jetë një hap i rëndësishëm përpara në kufizimin dhe përfundimisht mbylljen e bastionit dhe ndikimit të Rusisë në rajon. Por le të jemi realistë – kjo nuk do të ndodhë brenda natës, është një proces që do të zgjasë”, vlerëson Kupchan, i cili një pjesë të karrierës së tij e ka kaluar si zyrtar i ngarkuar me çështjet evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të Barack Obamas

Related Articles