BE-ja: Atmosfera politike në Kosovë është e polarizuar, mungon kuorumi vendimmarrës

BE-ja: Atmosfera politike në Kosovë është e polarizuar, mungon kuorumi vendimmarrës

Bashkimi Evropian ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut. Raporti – në të cilin përfshihet edhe Kosova – fokusohet në aspekte të ndryshme kyçe në lidhje me të drejtat themelore, demokracinë dhe angazhimin e BE-së me rajonin. 

Një nga temat e theksuara është largimi i serbëve nga institucionet publike në veri të Kosovës, veprim që – sipas raportit – ka krijuar një vakum të ndjeshëm në sigurinë dhe sundimin e ligjit. Tjetër çështje që trajtohet në raport është kriza në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, duke bërë që situatës të mbetet e “brishtë në terren”, sipas raportit.

Lidhur me stabilitetin politik, BE vlerëson se atmosfera politike mbetet e polarizuar, duke çuar në mungesë të kuorumit vendimmarrës në Kuvend.

“Në vitin 2022, Kosova gëzonte stabilitet politik, ku qeveria kishte një shumicë solide në Kuvend. Ky mjedis politik ka qenë i favorshëm që Kosova të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, puna e Kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës”, thuhet në raport.

Raporti thekson largimi i serbëve nga institucionet publike në veri të Kosovës kishe ndikim negativ, duke lënë një vakum të ndjeshëm në sigurinë dhe sundimin e ligjit në këtë rajon.

“Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e barrikadave në vijim ndikoi negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet shumë të reduktuar”, thuhet në raport.

Sa i përket situatës me dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, raporti i BE-së vlerëson se krizat e përsëritura në vitin 2022 kanë acaruar marrëdhëniet, duke krijuar një situatë të brishtë në terren.

“BE-ja vazhdon të lehtësojë Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur kriza të përsëritura në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2022 dhe situata në terren mbetet e brishtë.”

Një nga çështjet kyçe të theksuara në raport është mungesa e koordinimit dhe mbikëqyrjes efektive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe të drejtave të komuniteteve joshumicë si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

“Kapaciteti i qeverisë për të përmirësuar dhe mbikëqyrur politikat dhe legjislacionin për të drejtat themelore kërkon përmirësim, duke përfshirë koordinimin e mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, barazisë gjinore dhe komuniteteve joshumicë, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Çështjet e të drejtave themelore duhet të shfaqen më lart në axhendën politike”, thekson raporti.

Raporti më tej konstaton se diskriminimi në bazë të orientimit seksual mbetet i përhapur dhe ndërgjegjësimi i publikut për të drejtat e personave LGBTI është i ulët.

Sa i përket procesit zgjedhor të Kosovës, raporti i BE-së vlerëson se ende nevojitet fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, të cilat janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe së fundi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor 2022.

“Procesi zgjedhor i Kosovës ka ende nevojë për fuqizim për të adresuar dobësitë gjatë gjithë ciklit zgjedhor, siç janë identifikuar në misionet e njëpasnjëshme të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE-së, dhe së fundmi nga Misioni përcjellës i zgjedhjeve të BE-së, i vendosur në Kosovë në nëntor 2022”, thekson raporti.

Related Articles