Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar datën e takimit të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përkundër paralajmërimit të përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak se i njëjti do të ndodhë gjatë muajit tetor.
Në BE thonë se për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve do të njoftojnë me kohë. Në anën tjetër, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se progresi në dialog mund të bëhet vetëm kur të nënshkruhet marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit. Derisa janë skeptik se fryma konstruktive e Serbisë në kuadër të CEFTA-s, të reflektojë edhe në dialogun e Brukselit.
Pavarësisht takimeve në dialog, progres në dialog nuk shohin në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, thotë për KosovaPress, se BE-ja duhet të jetë më e drejtpërdrejtë dhe t’i kërkojë Serbisë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Sa i përket dialogut, ne insistojmë që marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të nënshkruhen, të implementohen prej dy palëve. Ne presim që BE-ja, tash institucionet e reja dhe kushdo që zëvendëson Lajçakun në të ardhmen, të jenë më të drejtpërdrejtë dhe të kërkojnë nga Serbia zbatimin e marrëveshjes”, thotë ajo.
Deputetja e mazhorancës shton se zhbllokimi i vendimmarrjes në CEFTA dhe avancimi i statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm, nën kryesimin e Serbisë, nuk mund të sjell domosdoshmërisht sukses në dialog.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, deklaron se pavarësisht se është krijuar një fryme konstruktive në CEFTA, nuk pret zhvillime pozitive në dialog.
Gjatë kësaj jave, ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak është takuar me kryenegociatorin kosovar, Besnik Bislimi, ku tha se kanë diskutuar për përgatitjen e takimit të radhës.
Krahas kësaj, në Kosovë qëndroi edhe emisari amerikan, Alexander Kasanof, ku nënvizoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.