BE-ja kërkon nga partitë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

BE-ja kërkon nga partitë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke u kërkuar partive politike të përfaqësuara në Kuvend që t’i përmbahen plotësisht këtij aktgjykimi.

Në një reagim në rrjetet sociale, kjo zyrë u ka bërë thirrje partive që të angazhohen për të gjetur kompromis dhe të formojnë institucionet sa më shpejt.

“Gjykata Kushtetuese ka folur dhe ka dhënë sqarime të rëndësishme. BE-ja u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i përmbahen këtij vendimi dhe të gjejnë kompromisin dhe shumicën e nevojshme për të ecur me shpejtësi me procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe zëvendëskryetarëve. Nuk ka më kohë për të humbur në një ngërç politik”, thuhet në reagim.

Vendimi i Kushtetueses, i bërë publik të premten, përcakton që deputetët duhet të zgjedhin kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, është sqaruar se i njëjti kandidat mund të votohet maksimumi tre herë dhe se të gjithë deputetët kanë detyrim të marrin pjesë në procesin e votimit.

Related Articles