Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano ka thënë se propozimi i BE-së nuk është bërë publik pasi, sipas tij, përpjekjet diplomatike janë në vazhdim.
Stano ka thënë se ata asnjëherë nuk i zbulojnë dokumentet zyrtare publikisht, derisa ato diskutohen.
“Ne kurrë nuk i zbulojmë dokumentet zyrtare publikisht dhe as nuk marrim pjesë në shkëmbime publike për to, ndërkohë që ato diskutohen”, thuhet në përgjigjen e Stanos.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se të njëjtën gjë e presin edhe nga partnerët, pasi sipas tij, është praktikë normale në ndërmjetësimin ndërkombëtar që procesi të zhvillohet në konfidencialitet.
“Lidhur me draft-statutin e Asociacionit të Komunave Serbe, mund të kujtojmë vetëm se një propozim i ri i balancuar evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave iu paraqit partnerëve përkatës nga EUSR për dialogun e Beogradit në Prishtinë gjatë vizitës së tij në rajon në fund të muajit tetor. Më pas u diskutua me të dyja palët gjatë takimit të liderëve në margjinat e Këshillit Evropian”, tha Stano për TV Dukagjini.