BE: Rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi

BE: Rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes dialogut Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian ka rikonfirmuar angazhimin e tij si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se është duke punuar intensivisht me të dyja palët për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura.

Ky reagim i Brukselit vjen pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron, i cili në një bisedë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar rëndësinë e bisedimeve Kosovë–Serbi dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura.

“BE-ja pret që Serbia dhe Kosova të përmbushin shpejt angazhimet e tyre ndaj Dialogut, duke pasur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë midis normalizimit të marrëdhënieve dhe perspektivave për anëtarësim në BE”, thuhet në një deklaratë nga zyra e shtypit e Komisionit Evropian.

Zyrtarët evropianë theksuan se pas takimit të fundit të kryenegociatorëve në qershor, BE-ja mbetet e gatshme të organizojë raundin e ardhshëm të dialogut sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për takim, qoftë në nivel teknik apo politik.

Në deklaratë vihet në dukje se “rruga drejt BE-së për të dyja palët kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, duke shtuar se zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara është kyç për avancimin e tyre në procesin e integrimit evropian.

Related Articles