BE: Themelimi i Asociacionit pritet së shpejti, Kosova pati mundësi për 10 vjet të paraqes një propozim

BE: Themelimi i Asociacionit pritet së shpejti, Kosova pati mundësi për 10 vjet të paraqes një propozim

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Masrali, ka folur rreth deklarimit të kryeministrit Albin Kurti, për çështjen e Draftit të Asociacionit, i cili ka shprehur gatishmëri për të shkruar Draftin gjatë vitit 2024, meqë emisari evropian, Miroslav Lajcak, ka thënë se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

Masrali ka thënë se drafti i BE paraqet “mënyrën moderne evropiane se si të trajtohet çështja e ndjeshme e pakicave”

Ajo tutje ka thënë se BE dhe partnerët besojnë që Drafti i BE është mënyra më e mirë për të adresuar ndjeshmëritë e të dy palëve dhe që presin që palët të vazhdojnë diskutimet mbi bazën e Draftit të BE-së.

Masrali ka thënë se Kosova e ka pasur mundësinë ta shkruaj Draftin që nga viti 2013 dhe se tashmë kryeministri Kurti mund të japë komentet dhe sugjerimet për Draftin.

Siç e kemi thënë shumë herë më parë, projekt-statuti evropian, i cili i është paraqitur kryeministrit Kurti më 21 tetor nga emisari Lajcak dhe këshilltarët kryesorë diplomatikë të presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministrit italian, së bashku me emisarin Escobar të SHBA-së, paraqet një mënyrë moderne evropiane se si të trajtohet çështja e ndjeshme e mbrojtjes së pakicave. BE-ja dhe partnerët e saj besojnë se është mënyra më e mirë e mundshme për të adresuar ndjeshmëritë e të dyja palëve. Ne presim që të dyja palët të vazhdojnë diskutimet mbi bazën e këtij drafti. Kosova ka pasur mundësinë që në 10 vitet e fundit të paraqesë një propozim për ASM. Në këtë fazë të avancuar të procesit ku pritet të fillojë së shpejti themelimi i Asociacionit, Kosova është e ftuar të japë komentet dhe sugjerimet e tyre për draftin në tryezë”, ka thënë Masrali për Express.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka publikuar para pak ditësh kërkesat e Qeverisë së tij për bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë që të arrihet normalizim i marrëdhënive me Serbinë, të cilën Kurti e akuzon për shkelje të zotimeve të dala nga Brukseli e Ohri dhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Kurti ka thënë se për Qeverinë e Kosovës prioritet absolut në vitin 2024, është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim.

Ai i është përgjigjur ndërmjetësit evropian, Miroslav Lajçak, i cili tha se statuti i Asociacionit është një dokument i brendshëm dhe nënshkrimi i Serbisë, për të cilin kryeministri Kurti po ngulmon, nuk është i domosdoshëm.

Kurti ka thënë se vitin e ardhshëm ai vetë mund të të shkruajë një draft modern evropian të statutit të Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Mirosllav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Related Articles