Karim Benzema thotë se është bërë më ambicioz që kur Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi, edhe pse i jep lëvdata yllit portugez që e udhëhoqi në vitet kur të dy ishin bashkëlojtarë në Spanjë.
Pasi fitoi gjithçka me “Los Blancos”, “CR7” u largua nga klubi për t’iu bashkuar Juventusit në vitin 2018 pas tetë vjetësh qëndrimi në “Santiago Bernabeu”.
Dhe, në vitet në vazhdim, Benzema pati më shumë hapësira dhe dalëngadalë e mori rolin e liderit të ekipit me golat dhe kontributin e tij në fushën e blertë.
Sivjet, ai është favoriti absolut për ta fituar Topin e Artë, të parin në karrierë.
“Është e vërtetë se kam shënuar më shumë gola që prej largimit të tij. Por, kur ai (Ronaldo) ishte këtu, unë po asistoja dhe ai më ka ndihmuar shumë, brenda dhe jashtë fushës”, deklaroi Benzema në konferencë për shtyp para ndeshjes së sontme të Superkupës së Evropës.
“Por, unë e dija se mund të bëja më shumë. Kur ai u largua, ishte koha që ta ndryshoja lojën time dhe ambiciet e mia ndryshuan dhe u rritën. Deri tash, po shkon mirë”, vazhdoi përfaqësuesi francez.
Ai i ishte bashkuar klubit mbretëror në vitin 2009 nga Olympique Lyoni, ndërsa për një kohë të gjatë kishte mbetur si një hije e Ronaldos.
Ai e kishte arritur vetëm dy herë shifrën e 20 golave në ligë para largimit të Ronaldos.
Nga ajo kohë, ai i ka shënuar së paku 21 gola në katër sezonet e fundit, duke realizuar plot 131 herë në të gjitha garat, derisa e ndihmoi Realin që ta fitojë trofeun e Ligës së Kampionëve sezonin e fundit.
Në vitet e fundit, Benzema është bërë njëri prej lojtarëve më të mirë, nëse jo më i miri, në botë, edhe pse atij nuk i pëlqen kjo temë.
“Unë nuk do të them nëse jam më i mirë apo jo. Por, çdo vit mundohem ta jap maksimumin tim për klubin më të mirë në botë. Më duhet të luaj në nivelet më të larta çdo vit, por është e vërtetë se niveli i sezonit të fundit ishte mjaft i mirë. Unë vetëm mundohem ta ndihmoj ekipin në çdo ndeshje”, nënvizoi Benzema.
“Unë nuk po mendoj për rekordin e Marcelos, por do të mundohem të fitoj sa më shumë trofe të jetë e mundshme. Gjithmonë e kam thënë se trofetë kolektivë janë më të rëndësishëm sesa ata individualë”, përfundoi sulmuesi i rrezikshëm francez.