Beogradi i ‘çon’ duart, serbët nga Kosova mund të votojnë në qytete të Serbisë

Beogradi i ‘çon’ duart, serbët nga Kosova mund të votojnë në qytete të Serbisë

Është tërhequr zyrtarisht Beogradi nga mbajtja e referendumit kushtetues në Kosovë, kjo pasi Kuvendi gjatë ditës së shtune ka miratuar rezolutën që e kundërshton mbajtjen e një procesi të tillë, raporton Gazeta Enigma.

Si rrjedhojë e kësaj Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi ka marrë vendim që serbët e Kosovës mund të votojnë në referendmin e diele në disa qytete të Serisë.

Sipas këtij vendimi në 45 vendvotime do të shtohen emrat e votuesve nga Kosova të cilët do të mund të votojnë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë.

Votuesit serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet në Kurshumli, Novi Pazar, Rashkë dhe Vranjë. Ndërsa, në Vranjë kanë mundësi vote serbët nga komuna e Vitisë, Gjilanit, Kamenicës dhe Novobërdës, derisa në Novi Pazar ata nga Istogu, Klina, Peja, Gora, Prizreni dhe Rahoveci. Serbët nga Fushë Kosova, Lipjani, Prishtina, Ferizaj, Shtërpca dhe Obiliqi do të votojnë në Kurshumli, derisa ata nga Vushtrria, Zveçani, Zubin Potoku, Mitrovica dhe Leposaviqi në Rashkë , shkruan Novosti, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Votat e votuesve nga Kosova nuk do të ndahen veçmas, por do të bëhen bashkë me votat e votuesve të qytetarëve tjerë që votojnë në këto qytete.

Gjithashtu, kryetari i organizmit të procesit zgjedhor atje, Vladimir Dimitrijeviq, njoftoi se vendvotimet hapën në ora 7 të mëngjesit dhe mbyllen në ora 8 të mbrëmjes.

Referendumi në Serbi mbahet që të bëhen ndryshime kushtetuese, në mënyrë që t’i krijohet më shumë pushtet degës së Gjyqësorit në emërime dhe shkarkime.

Ambasadorët e Quint’it në Kosovë bënë thirrje që të lejohet që ky referendum të mbahet në Kosovë, por kjo gjë u kundërshtua kategorikisht nga forcat e mëdha politike në vend.

Madje, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi./Gazeta Enigma/

Related Articles