Berisha pranon forcën e Polonisë, por shton se Shqipëria futet për fitore

Berisha pranon forcën e Polonisë, por shton se Shqipëria futet për fitore

Kapiteni i Përfaqësueses së Shqipërisë, Etrit Berisha ka pranuar forcën e Polonisë por ka shtuar se “kuqezinjtë” do të kërkojnë ta fitojnë ndeshjen.

Sipas tij, Shqipëria ka cilësi për ta bërë një gjë të tillë. Madje, Berisha ka thënë se me fitore eventuale ndaj Polonisë, Shqipëria pothuajse mund ta sigurojë pjesëmarrjen në plejofin e Kampionatit Botëror.

Dueli mes Shqipërisë dhe Polonisë, do të zhvillohet të martën prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit I eliminator.

“Jemi të vetëdijshëm për situatën në të cilën jemi tani. Mund të them që kjo varet shumë edhe nga ndeshja me Poloninë. Nëse fitojmë nesër, atëherë do të luajmë në plejofin. Jemi shumë mirë dhe gjithë fokusi është në ndeshjen e radhës, të cilën e kemi shumë të rëndësishme. Pas Polonisë i kemi edhe dy ndeshje tjera, por ky duel është tejet i rëndësishëm”

“Mund ta bëjmë një gjë të madhe me fitore dhe mendoj se presioni nuk duhet të jetë mbi ne por te Polonia. Ndeshja me Poloninë, sigurisht që ka një domethënie shumë të madhe për gjithë ekipin dhe shpresojmë të luajmë si është më së miri”, është shprehur Berisha të hënën në konferencën për shtyp.

“Medoemos e kemi vetëm të japim gjithçka nga vetja jonë pasi e kemi parasysh se po përballemi me një ekip të fortë ku të gjitha rezultatet janë të mundshme në këtë ndeshje. Në ndeshjen e parë me Poloninë, kemi bërë disa gabime që na kushtuan shumë. Por, kemi mundur t’i evitojmë golat dhe duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë situatë dhe të tregohemi të kujdesshëm. Por, duhet të angazhohemi pasi kemi cilësi për ta fituar lojën, sidomos me përkrahjen e tifozëve që i kemi në tribuna”.

Berisha ka pranuar se mungesa e qendërmbrojtësit Berat Gjimshiti, i cili u lëndua me Hungarisë, do të jetë e madhe por ka shtuar se Frederic Veseli do ta zëvendësojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Mungesa e Beratit është shumë e madhe për ekipin tonë kur dihet se ai është lojtari kyç në ekip. Mirëpo, mendoj se edhe Veseli do ta zëvendësojë si është më së miri pasi luajti mirë në ndeshjen e fundit” ka thënë Berisha.

“Synimi është ta fitojmë ndeshjen por edhe nëse nuk fitojmë, atëherë nuk do të jetë fundi i botës sepse i kemi edhe dy ndeshje tjera deri në fund”.

Portieri i Torinos ka vlerësuar edhe kapitenin e Polonisë, sulmuesin Robert Lewandowskin duke shtuar se nëse arrijnë ta ndalin, atëherë do të jetë një gjë shumë e mirë.

“Lewandowski është për sulmuesit më të mirë në botën e futbollit dhe duhet të përpiqemi ta ndalojmë si ekip. Nëse mund ta neutralizojmë për ne do të jetë një gjë shumë e mirë nëse ia dalim mbanë”, ka shtuar Berisha.

Related Articles