Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka thënë se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime me Kosovën, por fillimisht duhet të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe dhe se këtë herë është qëndrim i përbashkët i Serbisë dhe partnerëve të saj perëndimorë.
Kështu ka thënë ajo të hënën e 13 shkurtit, në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, ku theksoi se Serbia ka treguar se sa e gatshme është për dialog dhe “sa tolerante dhe fleksibile është për të ruajtur stabilitetin”.
“Këtë herë dua të falënderoj partnerët tanë Perëndimorë, sepse ata insistojnë në themelimin e Asociacionit në atë mënyrë se si u nënshkrua në 2013 dhe 2015 dhe në mënyrën se si u diskutua në fund të vitit 2022. Duket se edhe këtë herë jemi në të njëjtin këndvështrim”, ka thënë ajo, shkruan Nova.rs.
Brnabiç deklaroi se “dihet se çfarë është nënshkruar dhe çfarë duhet zbatuar, pavarësisht se çfarë thotë Albin Kurti”.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka thënë se nuk mund të pranojë një Asociacion njëetnik, pavarësisht presionit të madh që ushtrohet mbi Kosovën.
Në një intervistë për Euroneës Albania, Kurti ka theksuar se pozita e Kosovës me argumente për diskutimin që bëjnë është mjaft e volitshme.
“Presioni që bëhet mbi Kosovën është i madh dhe i padrejtë, por pozita jonë me argumente për diskutimin që bëjmë është tejet e volitshme, nuk ka debat që zyrtarët e shtetit tonë në raport me Asociacionin nuk e fitojnë”, është shprehur ai.
“Ka marrëveshje që edhe unë kam interes që të zbatohen p.sh., Dokumentacioni kadastral. Unë nuk mund të pranoj që të trajtohet propozimi franko-gjerman si një tryezë suedeze ku ti merr gjellën tënde të preferuar. Në anën tjetër, në bazë të bisedimeve të zhvilluara në Bruksel, midis 33 marrëveshjeve nuk ka kurrfarë rendi hierarkik as logjik, ka rend kronologjik. Nuk mund të thuhet që marrëveshja e 19 prillit 2013 është më e rëndësishmja ose më e vlefshmja, nuk është e mundur një gjë e tillë dhe tendenca e Beogradit është që ta nxjerrë këtë marrëveshje si parakusht ose së paku në qendër të marrëveshjes së ardhshme, por në qendër duhet të jetë njohja reciproke e parakusht nuk mund të lejohet”, ka thënë ai.
Sipas tij, Serbia pretendon se Asociacioni duhet të jetë modeli për pakicat kombëtare, por këtë gjë e kërkon vetëm për Kosovën jo edhe për vete.
“Kjo marrëveshje është e vetmja nga 33 sosh që u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Verdikti i kësaj gjykate ka thënë që kapitujt nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por ky nuk është problemi i parë. I pari është që ne duhet t’i rregullojmë çështjet e pakicave kombëtare në shtetet tona dhe kjo thuhet në fjalinë e 3-të preambulës. Ka modele të ndryshme për këtë gjë, pakicat kombëtare me të drejtën e tyre janë ato që parandalojnë nacionalizmat hegjemonikë e shovinistë, dhe unë jam për parim të reciprocitetit, por Beogradi asnjëherë nuk e ka marrë mundin të tregojë pse propozimi i Ahtissarit nuk mjafton”.