Bërnjaku e Merdarja të mbyllura, Jarinja e bllokuar për qytetarët me dokumente të Kosovës

Bërnjaku e Merdarja të mbyllura, Jarinja e bllokuar për qytetarët me dokumente të Kosovës

Dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjaku dhe Merdarja, janë mbyllur mbrëmë për qarkullim,kurse pika kufitare në Jarinje vazhdon të jetë e bllokuar për qytetarët me dokumente të Republikës së Kosovës, shkruan Enigma.

Persona të maskuar janë parë mbrëmë pranë një bllokade të vendosur në pjesën serbe të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës në Bërnjak.

Kryediplomatja Donika Gërvalla reagoi pas mbylljes së Bërnjakut, ku tha se kjo pikë do të qëndrojë e mbyllyur derisa të largohen personat e maskuar dhe të kthehet lëvizja e lirë.

Në pikën kufitare në Bërnjak, brenda territorit të Serbisë, persona të maskuar po ndalojnë edhe veturat me regjistrim gjerman dhe pas konstatimit që janë shqiptarë, nuk po i lënë të kalojnë. Vetura e policisë serbe veç shikon dhe nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij seleksionimi racist dhe fashist, i cili sjell në mendje kohë të errëta dhe si i tillë nuk guxon të tolerohet. Pika kufitare në Bërnjak mbyllet deri sa të largohen të maskuarit dhe të kthehet lëvizja e lirë”, shkroi Gërvalla.

Ministria e Punëve të Jashtme u bëri thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar Policinë e Serbisë së para syve të tyre po lejojnë që grupet të ekstremistëve të bllokojnë kalimet në pikat kufitare me Serbinë.

Ai ka njoftuar se një familje kosovare që po udhëtonte drejt Gjermanisë i është pamundësuar vazhdim i udhëtimit dhe janë kthyer prapa me forcë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët. Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, përfaqësues nga disa shoqata serbe kanë bllokuar rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë. Grupe të vogla njerëzish u mblodhën pasditen e 6 shtatorit në kalimet kufitare në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, ku ndaluan kamionë dhe drejtues makinash me dokumente të Kosovës. Bllokimi i rrugëve u bë pas mbylljes së pesë institucioneve paralele serbe në veri të vendit nga autoritetet e Kosovës. 

Related Articles