U.D i Kryeprokurorit, Besim Kelmendi në konferencën e jashtëzakonshme ka konfirmuar se është thirrur nga Prokuroria Speciale për intervistim si dëshmitar për Masakrën e Reçakut.
Para gazetarëve, Kelmendi tha se kurrë s’ka qenë në fshatin Reçak dhe se s’ka qenë gjyqtar e as hetues para vitit 2000 kur dhe është zgjedhur gjyqtar i Qarkut të Prishtinës.
“Më vjen mirë që në PRSK të jap një deklaratë e cila konfirmon atë që po them para juve, dhe atë që duhet ta dijë secili qytetarë i Republikës së Kosovës. Kurrë në jetë nuk kam qenë në fshatin Reçak. Kurrë në jetën time s’kam qenë as gjyqtarë as hetues, para vitit 2000 kur jam zgjedh për herë të parë gjyqtar i Qarkut të Prishtinës…. dhe i cili falë kontributit tim është shpallur fajtor dhe sot kemi aktgjykim të formës së prerë për këtë të akuzuar, i cili ka shërby edhe si provë në gjykimin kundër Millosheviqit, i cili në atë gjykim pretendon dhe tenton që t’ja humb vlerën këtij aktgjykimi”, tha mes tjerash Kelmendi.
Në këtë konferencë ai pati një sërë sulmesh ndaj gazetarit Vehbi Kajtazit dhe mediumit “Paparaci”. Sipas Kelmendit, ai ishte shantazhuar përmes mesazheve në telefon nga gazetari Kajtazi.
Ndër të tjerash, U.D i Kryeprokurorit thotë se Vehbi Kajtazi dhe mediumi në fjalë dezinformon qytetarët, me gjëra që sipas tij “s’i ka bërë kurrë”.
“Më vjen keq që një portal i njohur me emrin “Paparaci” është duke vazhduar të bëjë shpifje dhe gjëra absolutisht të vërteta në raport me punën time dhe karrierën time. Sot keni lexuar dhe të shifni aty një shkrim i cili jo vetëm që s’është i vërtetë por është tendencioz dhe i pavërtetë dhe përmban të dhëna të pavërteta, gënjeshtra”.
“Arseyja pse ai shkruan dhe shpif për mua është shumë e lehtë për ta kuptuar. Ai ka qenë te unë për të pasur përfitime për raste të caktuara të cilat unë i kam pasur në punë, për të bërë unë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për dobi të biznese që ai në çfarë mënyre i ka. Ai më ka dërguar edhe sms shtantazhues për të cilat ka qenë i njoftuar edhe Aleksandër Lumezi. Ky portal, dhe ky person Vehbi Kajtazi jo rastësisht sot e shkruan një artikull kundër meje, për të dezinformuar gjithë opinionin, për të thënë gjëra që kurrë në jetë si kam bërë”, tha Kelmendi në konferencë për media.
