Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i është drejtuar deputetëve në Kuvend me fjalët “po rreni”.
Ai ka akuzuar partitë në opozitë se po manipulojnë me shifrat për ngritje të çmimit të rrymës.
“U mytëm tu ju thanë po rreni, edhe prapë po dilni po rreni”, ishte deklarata e Bislimit drejt deputetëtve.
Pas zhurmës së krijuar ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u bëri thirrje deputetëve që ta respektojnë njëri-tjetrin.
“Ju lutem respektojeni njëri-tjetrin kur flisni edhe leni kolegët me folë”, tha Konjufca.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e së enjtes ka thënë se vetëm ditën e djeshme Kosova ka importuar 2.5 milion euro rrymë.
Me këtë rast ai ka pyetur ligjvënësit se si të paguhet kjo rrymë me çmimin e lartë të importit të saj.
“Unë po e marr vetëm shembullin e ditës së djeshme, 19 janar 2022, pra në ditën e djeshme i kemi pasë në punë A1,A2 dhe A3, ka punuar edhe B1 me 251 megavat, B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit. Totali i gjenerimit të energjisë me kapacitetet tona ka qenë 727 megavat, piku ka qenë 1317 megavat”.
“Në ditën e djeshme importi është mbi 10 gigavat orë, ndërkaq devijimi është mbi 400 megavat orë. Në bursën ndërkombëtare, çmimi bazë ka qenë 227 euro,vetëm importi dje ka kushtuar 2.5 milionë euro. Prandaj deputetë të nderuar më tregoni si ta paguajmë rrymën”, ka thënë Kurti./Gazeta Enigma/