Në Ukrainë janë duke vazhduar luftimet aty ku forcat ushtarake ruse janë duke e pushtuar këtë shtet, shkruan Gazeta Enigma.
Derisa e gjithë bota i ka sytë kah Ukraina aty po ndodhin luftime të ashpërta, situatën e atjeshme me vëmendje të madhe është duke e ndjekur edhe portieri kosovar, Betim Halimi.
Halimi qenë pjesë e kampionatit ukrainas para dy sezoneve ku ka mbrojtur ngjyrat e Olimpik Donetsk.
Gazeta “Enigma” e ka kontaktuar portierin 26-vjeçar i cili ka rrëfyer për eksperiencën e tij në shtetin ukrainas dhe kontaktet të cilat i ka më ish-bashkëlojtarët.
Sipas Halimit qytetarët ukrainas asnjëherë nuk e kanë besuar se mund të vije deri të agresioni barbar rus.
“Ndjej keqardhje për situatën aktuale që po mbretëron në Ukrainë. Unë kam vepruar ne Kiev për 3 vite, një vend shumë i bukur dhe me kulturë të lartë qytetëruese. Asnjëherë ukrainasit nuk kanë besuar se mund të vije deri të agresioni barbar rus siç po ndodh aktualisht”.
“Jam shumë i shqetësuar për miqtë, bashkëlojtarët dhe stafin menaxhues të Olimpikut të cilët ndaj meje kanë qenë familja e dytë, kanë qenë shumë të dashur dhe miqësor. Prandaj po lutem që sa më shpejtë të mbyllet kjo luftë dhe të kthehet jeta normale në Ukrainë”, rrëfehet Betim Halimi.
Portieri aktual i FC Prishtinës ka treguar për raportet të cilat i mbanë me ish-bashkëlojtarët dhe tifozët. Halimi tregon për “Enigmën” se shumica e lojtarëve të cilët i ka pasur në ekip tashmë i janë bashkangjitur luftës për lirinë e Ukrainës.
“Në Ukrainë kam shumë shokë të skuadrës së Olimpik, por edhe të grupit të tifozëve të cilët mbajë kontakte të vazhdueshme. Ata kanë shqetësime për familjet e tyre sepse gjendja është shumë e renduar në kryeqytet, shumica nga shokët e skuadrës ju kanë bashkangjitur luftës për lirinë e Ukrainë sepse e kanë vullnetin e madh dhe moralin e lartë për mbrojtjen e atdhetar të tyre. Lutem për ta që ta kalojnë shëndosh e mirë edhe këtë sfidë mjaftë të rëndë”, vazhdoi më tutje rrëfimin portieri kosovar.
Për fund Halimi ka treguar edhe përshtypjet e ukrainasve për shqiptarët në përgjithësi, ku sipas tij kanë qenë shumë të mira.
“Ukrainasit kanë përshtypje fantastike dhe shumë miqësore për popullin shqiptar. Ata e njohin pasaportën e Kosovës dhe së shpejti pritet ta njohin edhe shtetësinë e Kosovës”, përfundoi rrëfimin Betim Halimi.
Betim Halimi aktualisht është pjesë e Kampionës në Fuqi të Kosovës, FC Prishtinës. Ai karrierën futbollistike e ka nisur te skuadra e Vllaznisë së Pozheranit. Karrierë ka bërë edhe te Drita, Hajvalia dhe skuadra nga Estonia, JK Trans Narva.
/GAZETA ENIGMA/