Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marr pjesë në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj, të mbajtur në Kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj, ndërkaq tha se ushtarët e Kosovës do të jenë kudo që rrezikohen interesat e shtetit, të aleatëve amerikanë e evropianë.
Osmani para të pranishmëve tha se sot është ditë e veçantë për ushtrinë tonë dhe se FSK forcon radhët e veta dhe dëshmon përkushtimin e vajzave dhe djemve që marrin përgjegjësi të reja.
“Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. Këta 112 rekrutë tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t’i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja. Jam krenare që mesin e 180 rekrutëve janë edhe 12 ushtare. Hapja e FSK-së ndaj vajzave dhe grave është nevojë dhe domosdoshmëri”, tha ajo.
Presidentja e vendit tha se FSK është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të shtetit.
“Ushtarët tanë do të jenë kudo që rrezikohen interesat tona, por edhe ato të aleatëve amerikanë, evropian e më gjerë…”, tha ajo.
Më tej, komandantja supreme e FSK-së iu drejtua rekrutëve të rinj duke se “në ushtrinë e kombeve ne do të përfaqësohemi dinjitetshëm nga secili prej jush, duke ngre lart flamurin jeni në krye të zbatimit të detyrave me profesionalizëm, integritet dhe ndershmëri”. /Gazeta “Enigma”/