Në kazermën “Adem Jashari”, është mbajtur ceremonia e betimit të 21 kadetëve të Qendrës për Studime Universitare e FSK-së, raporton Gazeta Enigma.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se u ka kërkuar atyre që për katër vjet të studimeve të përgatiten në mënyrë që t’i shërbejnë vendit.
Madje ai u ka kërkuar atyre që ta ngrisin flamurin e Kosovës sa më lartë e të shërbejnë në paqe bashkë me aleatët.
“Kadetë të gjeneratës 2025, ju për këto katër vjet do të arsimoheni e stërviteni me një udhëheqje të lartë, do të përgatiteni me karriere profesionale në shërbim të atdheut si oficer i ushtrisë”.
“Nga ju pres që të jeni kadetë e studentë të disiplinuar dhe të studioni për atdheun. Ta ngritin flamurin tonë lartë dhe të punoni me krenari natë e ditë për vendin tonë të çmuar. Ju do të shërbeni në paqe, por do të jeni partnere me aleatet tanë të çmuar”.
“Studioni që për katër vjet të filloni karrierën, që pastaj si oficerë të drejtoni e komandoni me kompetencë në shërbim të kombit e atdheut dhe çdo qytetari pa dallim përkatësie etnike, fetare e racore. Ju mirëpresim në radhët e Ushtrisë së Kosovës”.
Zëvendëskomandant i FSK-ë Enver Cikaqi, tha se të diplomuarit po japin shembull në botë.
Ai me këtë rast ka falënderuar partnerët për mbështetjen e vazhdueshme.
“Kur filloi programin në modelin e ushtrisë amerikane nuk e kemi menduar se mund të shkojmë kaq larg, tash kemi krijuar historinë tonë. Të diplomuarit po japin kontribut në forcë por edhe po japin shembull në botë”.
“Jemi më të besueshmit në vend, kjo po bëhet edhe falë mbështetjes së aleatëve e sidomos ShBA. Ju presin shumë sfida, mos bënë kompromis me detyrën nderin dhe atdheun”.