Kurti takon bashkë-organizatorët e protestës studentore të vitit 1997

Kurti takon bashkë-organizatorët e protestës studentore të vitit 1997

Në përvjetorin e 24-të të protestave studentore të vitit 1997, me ftesën e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim bashkë organizatorët e protestës.

Në takim ishin edhe familjarë të profesorit të ndjerë Ejup Statovci, Drita Halimi Statovci dhe Anila Statovci.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti vuri lule te varri i profesorit Statovci, i cili së bashku me studentët organizatorë ishte në ballë të protestës masive, që për kërkesë kryesore kishte lirimin e pakusht të hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi serb.

“Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.

U rikujtuan ditët parapërgatitore të protestave, rreziqet dhe kushtet e vështira të veprimit, si edhe zemërgjerësia e njerëzve guximtarë që dëshirës së madhe të studentëve për dije iu mundësuan vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.

Në takim ishin prorektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, profesori Ahmet Geca, drejtuesit e Lëvizjes studentore ministri Xhelal Sveçla, zëvendësministri Hysen Durmishi, Bujar Dugolli, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Lulëzon Jagxhiu, Mihane Salihu, Mentor Bogaj, Milot Cakaj dhe Veton Demaj.

Related Articles