Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ku ky i fundit e ka uruar për postin e ri.
Ndër të tjera, Biden ka përmendur edhe marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve, duke theksuar edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovë.
Biden, ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.
Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.
Ndërsa, sa i përket shpërndarjes së vaksinave, Biden i është përgjigjur kërkesës së Presidentës, Vjosa Osmanit,
“SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”, thuhet në njoftim.
Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se SHBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“SHBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani.