Bashkësia Islame e Kosovës ua ka tërhequr vërejtjen punonjësve të administratës dhe imamëve që të kenë kujdes në paraqitjet e tyre publike dhe qëndrimet e tyre publike në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas reporteri.net, në vërejtjen e lëshuar, e cila mban datën e ditës së djeshme, u është ndaluar pjesëmarrja në fushata politike zgjedhore, poashtu të qenit aktivist i ndonjë partie politike, si dhe të qenit kandidat nga një parti e caktuar.
Gjithashtu në vërejtje theksohet se nuk lejohet as manifestimi publik me rastin e fitores të një partie të caktuar.
Bashkësia Islame në vërejtjen e saj thotë se nëse të gjitha këto nuk respektohen, atëherë do të ketë edhe sanksione.
“Çdo veprim i tillë nga sa u përmend më lart, konsiderohet shkelja e Kushtetutës së BIK-ut, ligjeve dhe akteve tjera normative të saj, për çfarë edhe do të sanksionohen”, thuhet në vërejtjen e BIK-ut drejtuar nëpunësve administratv dhe imamëve.
Për pjesëmarrje në tubime elektorale, ditën e djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar tre zyrtarë policorë.
Në komunikatën e lëshuar, IPK-ja u bëri thirrje zyrtarëve policorë që të qëndrojnë jashtë aktiviteteve politike apo tubimeve parazgjedhore.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve pas publikimit të shkrimeve në medie për pjesëmarrje të zyrtarëve policorë në tubime të natyrës politike, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar procedura disiplinore për dy raste të ndara ku janë përfshirë një gradë e kolonelit policor dhe një major. IPK në njërin rast ka rekomanduar suspendimin e kolonelit policor me dyshimin për pjesëmarrje në tubim të natyrës politike kurse rastin e majorit (me të njëjtat dyshime) e ka përcjellë për trajtim disiplinor në Policinë e Kosovës”, thuhej në komunikatë.