Binjakët nga Ferizaj thonë se e përdorin pasaportën e njëjtë dhe vozisin me një patentë-shofer, deklarohen nga Policia

Binjakët nga Ferizaj thonë se e përdorin pasaportën e njëjtë dhe vozisin me një patentë-shofer, deklarohen nga Policia

Dy vëllezërit binjakë nga Ferizaj, të cilën duke qeshur treguan në një emision se udhëtojnë me të njëjtën pasaportë dhe se për 10 vite kanë vozitur me një patentë-shofer, janë intervistuar nga Policia e Kosovës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma” zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli se ata janë kontrolluar dhe i kanë të gjitha dokumentet që duhet, dhe pas kësaj nuk konsiderohet vepër penale.

Ai tutje tha se ajo çfarë kishin thënë në emision ka qenë për show.

“Ka fillu hetimi i këtyre personave, policia i ka ftu në intervistë, dhe ata kanë deklaru se emisioni ka qenë show dhe për show, ska aty asnjë të vërtetë ata i posedojnë dokumentat veç e veç, por aty ka qenë për emisionin show në konsultim me prokurorin nuk ka rast penal ndaj tyre”.

Ndryshe, dy vëllezërit binjakë nga Ferizaj, Bujari dhe Ismajli, kanë rrëfyer historinë tyre në një intervistë në ATV.

Rasti që ka nxitur komente të shumta është ai me patentën për vozitje.

Ismajli, i cili është 5 minuta më i madh se Bujari, tregon që në shkollë ka qenë pak më i mirë, e kjo i ka ndihmuar që i pari ta marrë edhe patentën për vozitje. Por kjo punë nuk duket t’i ketë sjellë ndonjë problem Bujarit pasi, marrë parasysh ngjashmërinë e madhe që kanë, ky i fundit për 10-vite rresht e ka shfrytëzuar patentën e vëllait.

“Për patentë shofer, kemi vozitë 10-vjet me një patentë. Për së dyti unë ia kam marrë patentën këtij, do të thotë, më së shumti sendet unë i kam bo. Pas 10-vjete prap unë ia kam marrë patentë shoferin këtij,” – u shpreh Ismajli.

Ata treguan se si kanë vepruar kur i ndalte policia: “Policia po na kanë ndalë, na kanë kërkuar dokumentet unë (Bujari) ia kam dhënë patentën e këtij dhe kurrë problem s’kam pasur. ‘Në rregull merrni dokumentet, edhe ditën e mirë’ – s’kanë mundur me na vërejt kurrë.”

Por, binjakët 32-vjeçar treguan se nuk e kanë përdorur bashkë vetëm patentën për vozitje. Ismajli tregoi se ata të dy kanë vetëm një pasaportë, dhe që të dy e përdorin atë për të udhëtuar.

Ata kanë treguar edhe sfidat e tyre në familje, duke thënë se as fëmijët e tyre s’e dinë cili është babai e cili axha.

Related Articles