Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, se Kosova të martën e ka pranuar versionin e ri të planit franko-gjerman mirëpo ka shtuar se ka një dakordim që ai të mbahet konfidencial.
Bislimi ka thënë se emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak e ka dorëzuar të martën tek kryeministri Kurti versionin e fundit të planit.
Bislimi është pyetur të martën gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, se përse nuk po bëhet publik plani.
“Diskutimi për planit franko-gjerman ka qenë tete-a-tete mes ekipit dhe z.Kurti, mes ekipit dhe z.Vuçiq. Dakordimi nuk ka qenë që diskutimi për planin franko-gjerman të jetë i mbyllur por përmbajtja e tekstit të mbahet konfidenciale. Nuk është dakordimi i tipit si po ia bëjmë. Na është thënë ose e diskutojmë planin me këto kondita ose nuk e diskutojmë dhe ju jeni pala që nuk dëshironi të përfshiheni”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se kryeministri Kurti i ka ftuar liderët e opozitës që ta shohin përmbajtjen e planit, por që sipas tij vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur takimit.
“Dakordimi është që të mos ketë diskutim publik dhe hapje publike. Kurti i ka ftuar liderët e subjekteve politike për ta ndarë me ta përmbajtjen e dokumentit, kanë ardhur vetëm Haradinaj dhe Gjini e kanë parë dokumentin dhe e kanë lexuar. Këtë mundësi e kanë pasur secili prej liderëve politik ne Kuvend, nuk ka pasur gatishmëri”, ka thënë Bislimi.