Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian diku nga mesi i dhjetorit.
Bislimi ka thënë se aplikimi do të bëhet në koordinim me Presidencën Çeke.
Bislimi ndërkohë ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave. Ai ka thënë se kjo çështje asnjëherë nuk është ndërlidhur me dialogun Kosovë – Serbi. Dhe se shtyrja e vendimit për një javë, ishte për të mirë të Kosovës, pasi vendet skeptike mund ta shfrytëzonin çështjen e targave për të hezituar votimin.
“Arsyeja pse ishte larguar nga rendi i ditës javën e kaluar, ishte se ndonjë vend skeptik mund ta përdorte situatën me targa. Vendimi i Këshillit ishte për qëllim të mirë e jo qëllim kushtëzimi. Pse liberalizimi po ndodh tash e jo më herët, varet nga aftësia e Qeverisë për të luftuar krimin e korrupsionin. Aplikimi bër status kandidati, kemi thënë nga dhjetori i vitit të kaluar se do të aplikojmë sivjet. Është gabim të thuhet nëse është momenti i duhur, pasi nëse presim momentin e duhur, BE-ja nuk jep përgjigje. Kemi një ekip prej 4 ekspertëve që po rrinë e po bisedojnë në Bruksel me secilat shtete anëtare. Po ashtu jemi në koordinim të ngushtë me Presidencën Çeke për datën. Kemi datë, por jemi duke u koordinuar, pritet nga mesi i dhjetorit. E di se do të ketë vende hezituese, por nuk e zhvlerëson aplikimin kjo. Do të jetë aplikimi në sirtar të BE-së nuk ka rrezik të ketë efekte negative, por do të ketë vetëm efekte pozitive”, ka thënë Bislimi në Komision për Integrime Evropiane.