Bislimi: Kosova pajtohet me propozimin e BE-së për dinarin, Serbia kërkon kohë shtesë

Bislimi: Kosova pajtohet me propozimin e BE-së për dinarin, Serbia kërkon kohë shtesë

Takimi i tretë në Bruksel për dinarin ka përfunduar. Pas takimit, ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i Kosovës, i cili ishte pjesë e takimit si kryenegociator i Kosovës. Ai ka theksuar se në takim Kosova e Serbia kanë pasur dallime të mëdha.

Tutje, Bislimi ka treguar se Miroslav Lajçak, ndërmjetësues i Bashkimit Evropian, ka hartuar një propozim në lidhje me çështjen e dinarit. Ai ka pasur fjalë të mira për këtë propozim, duke e quajtur konstruktiv.

“Ky takim është caktuar me idenë që palët të reflektojnë, gjegjësisht pala serbe ka kërkuar më shumë kohë për arsye se nuk kanë pasur kompetenca në vendimmarrje. Javën e kaluar i është bërë e qartë palës serbe se takimi i radhës mund të mbahet vetëm nëse vijnë me ide për kompromis. Fatkeqësisht, edhe sot kemi pas dallime të mëdha”.

“Përderisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka vepruar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të përfshira. Duke parë pamundësinë e arritjes së një kompromisi, Lajçaku ka nxjerr një propozim të konsoliduar, për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton Rregulloren e BQK-së”, ka thënë Bislimi pas takimit.

Pas takimit në Bruksel, ka folur edhe pala serbe. Petar Petkoviq, kryenegociator serb në dialogun me Kosovën, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel ka prezantuar “propozimin e balancuar” për zgjidhjen e çështjes së dinarit.

Në fjalën e tij, ai tha se nuk ka pasur kompromis.

“Ne kemi përsëritur propozimin tonë të balancuar, i cili kërkon një zgjidje të balancuar. Kemi një takim tjetër rreth kësaj, të shohim si do të ndodhin gjërat”, citohet se ka thënë Petkoviq, duke shtuar sipas “Tanjug’, se pret një ftesë për një takim tjetër brenda 10 ditëve.

Related Articles