Bislimi në Paris, Ambasada e Francës sqaron deklaratat e Macron për vizat

Bislimi në Paris, Ambasada e Francës sqaron deklaratat e Macron për vizat

Pavarësisht se presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk kishte deklaruar se ka pezulluar liberalizimin e vizave për Kosovën, në deklaratën e tij të bërë nga Tirana akuza ndaj Kosovës dhe Serbisë për “mos mbajtje të fjalës“ ishte e qartë. Kreu i shtetit francez teksa kishte përmendur qëndrimin e Francës për heqjen e regjimit të vizave kishte thënë se kjo kishte të bënte me mbajtjen e fjalës nga ana e Parisit zyrtar, ndërkohë teksa kishte folur në kontekst të dialogut dhe obligimeve që dalin nga procesi, kishte specifikuar se “fjala nuk po mbahet“.

Lidhur me gjithë këtë situatë, në një përgjigje për Gazetën Express nga Ambasada e Francës kanë sqaruar deklarimet e presidentit të Francës të bëra gjatë konferencës së përbashkët me Edi Ramën në kryeqytetin shqiptar.

Në përgjigje thuhet se Macron ka përmendur çështjen e liberalizimit si një gjest mirëbesimi nga ana e Francës, derisa ka kërkuar nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që ta mbajnë fjalën e dhënë dhe të angazhohen për të ecur përpara sa i përket dialogut.

“Ai kërkoi nga të dyja palët që të angazhohen për riorganizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e serbëve dhe kthimin e tyre në institucionet kosovare. Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiq, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar. Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme.”, kanë thënë për Express nga Ambasada e Francës.

Gjithashtu Ambasada shton se Macron ka theksuar nevojën që Kosova dhe Serbia të dëshmojnë frymë përgjegjësie, duke përmendur edhe pritshmërinë e Macron që Vuçiq të dënojë sulmin e 24 shtatorit dhe që rasti të ndriçohet në tërësi.

“Gjatë konferencës për medie me Kryeministrin shqiptar, Edi Rama, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb Vuçiq : të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi. Ne dëshirojmë që të ndriçohet në tërësi sulmi i 24 shtatorit dhe autorët e tij të dalin para drejtësisë”, kanë potencuar nga Ambasada e Francës.

Për deklaratën e Macron në një intervistë për televizionin publik ka folur edhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot. Diplomati francez ka thënë Macron ka rikujtuar se liberlaizimi i vizave që do të zbatohet për Kosovën nga 1 janari është një gjest i mirëbesimit dhe se ky gjest s’ka qenë reciprok nga ana e Kosovës.

“Mesazhi i tretë kishte të bënte me nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në fund të këtij mesazhi, të këtyre tri kërkesave të shprehura drejtuar njëkohësisht presidentit Vuçiq dhe autoriteteve të Kosovës, presidenti Macron ka rikujtuar se liberalizimi i vizave që tani është në fuqi në Serbi dhe që do të zbatohet nga 1 janari 2024 në Kosovë, është një inkurajim pozitiv, një gjest i mirëbesimit dhe se ky gjest nuk ka qenë reciprok dhe se është e domosdoshme që të dy palët të riangazhohen në dialog. Ky ka qenë një mesazh politik që të dy palët shpresoj se do ta dëgjojnë”, ka thënë Guerot në RTK.

Pas gjithë kësaj zhurme sa i përket qëndrimeve të presidentit Macron dhe akuzave se fjala e dhënë s’po mbahet , numri dy i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë sot aeroplanin për në Paris ku edhe do të zhvillojë takime me Sekretaren e Shtetit Francez për çështje Evropiane dhe diplomatë nga shtetet anëtare e deputet francez.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Parisit. Ditën e sotme, gjatë qëndrimit në Francë, do të takohet me Sekretaren e Shtetit për çështje Evropiane të Francës, Laurence Boone, diplomatë nga shtetet anëtare dhe deputetë të Parlamentit francez”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

 Njohës të integrimeve evropiane teksa kanë komentuar deklarimet e Macron, kanë thënë se tashmë liberalizimi i vizave për Kosovën është proces i pakthyeshëm dhe se Franca si një shtet i vetëm nuk mund të pezullojë apo diçka të ngjashme.

Related Articles