Bislimi për deklaratat e Gërvallës: BE-në nuk e kemi armik që do të thotë se s’është krim që dikush ta mbrojë atë

Bislimi për deklaratat e Gërvallës:  BE-në nuk e kemi armik që do të thotë se s’është krim që dikush ta mbrojë atë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se termin “të pamatura” nuk mund ta përdorë për asnjë deklaratë të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai u pyet për deklaratën e Gërvallës në mbledhjen e Komisionit për Integrime Europiane nga deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila tha se do që të dijë nëse ajo është në vijë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës derisa kryediplomatja “ka mbrojtur Bashkimin Europian”.

“Fillimisht BE-në nuk e kemi armik që do të thotë se s’është krim që dikush ta mbrojë atë ose që përdorë fjalë pozitive në terminologji kur përmendet BE-ja. Përkundrazi e shoh si një konfirmim të raporteve të mira që Kosova ka me BE-në. E dyta është fakt që ne kushtet teknike i kemi plotësuar në vitin 2018. I vetmi problem është në Këshillin e Europës. Të paktën dy shtete hezitojnë të votojnë në favor të liberalizimit, Franca dhe Holanda, të cilat kanë brengat e tyre në implementimin në praktikë të sundimit të ligjit për arsye që mendojnë se ende ka Kosova hapa për të dëshmuar se ka arritur progres në zbatimin e ligjit”.

Ditë më parë Gërvalla ka thënë se Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet ta fajësojnë Bashkimin Europian për gabimet e veta.

“Duhet të vlerësohet, pavarësisht të gjitha vështirësive dhe prapambetjes, Bashkimi Evropian na ka ofruar më të mirën që ka mundur, perspektivën e anëtarësimit në projektin më të suksesshëm në historinë e Evropës”, kishte thënë Gërvalla në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut.

Related Articles