Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së fundmi ka ironizuar rreth marrëveshjes që u arrit me Serbinë, për energjinë shkruan GazetaEnigma.
Ai tha se marrëveshjen për energjinë në veri nuk e pranuan, por e gjetën aty, sikur Skënderbeu, në fjalimin e tij që kishte thënë: ”Lirinë nuk jua solla unë, po e gjeta këtu në mesin tuaj..”
Bislimi është përgjigjur edhe në pyetjet se pse Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë, e quante të dëmshme marrëveshjen.
“Marrëveshjen ne nuk e kemi pranuar. Marrëveshja është aty. Problemi ka qenë që marrëveshja kur është nënshkruar ka qenë e keqe dhe e kemi thënë publikisht dhe e kemi kundërshtuar për arsye se në momentin kur e negocion, ke hapësirë për negocim dhe mendojmë se ka qenë marrëveshje e dëmshme, mirëpo implementimi i saj ka qenë edhe më i dëmshëm. Ajo që ne kemi bërë me udhërrërfimin e sotëm është se e kemi kthyer situatën në normalitet, por pa thënë që marrëveshja është e mirë”, tha ai për rtk.
Ai mes tjerash, deklaroi se është vetëm udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmerren deri te normalizimi i çështjes.
“Nuk trajtohen aspak çështjet pronësore. Është vetëm udhërrëfyes për hapat që duhet të ndërmerren deri te normalizimi i çështjes. E kemi publikuar edhe udhërrëfyesin, në asnjë fjalë s’përmendet asnjë aset, sepse udhërrëfim apo pikënisje është legjislacioni i Kosovës që e njeh KEDS-in si monopolist në ofrimin e shërbimit të shpërndarjes në Kosovë”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i palës kosovare në dialog me Serbinë . / GazetaEnigma