Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, së fundmi ka zhvilluar një takim me shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Heleni Vakali, shkruan GazetaEnigma.
Bislimi përmes një postimi në Facebook, shpalosi detaje nga takimi me Vakalin, ku tha se kanë biseduar për nevojën e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe për aplikim për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian./ GazetaEnigma
Ky është postimi i tij:
Kosova dhe Greqia gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer, e cila paraqet një bazë të fortë dhe natyrshme për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Kjo ishte një nga temat të cilat i ndamë bashkarisht në takimin me shefen e Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, znj. Heleni Vakali.
Gjatë takimit ritheksova nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe objektivat për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aplikimin për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Gjithashtu, potencova rëndësinë e Greqisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe se tani është momenti i duhur që Greqia t’iu bashkohet shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Duke e falenderuar znj. Vakali për bisedën, shprehëm edhe njëherë dëshirën për thellimin e bashkëpunimit mes vendeve tona.