Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nesër në Bruksel pritet të takohet me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, në kuadër të rundin të ri të dialogut.
Mbajtjen e takimit të ri e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Fillimisht palët do të mbajnë takime të ndara, derisa emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të përpiqet të organizojë një takim trilateral.
“Mund të konfirmoj se takimi i radhës në nivelin e kryenegociatorëve do të jetë nesër në Bruksel. Rendi i ditës është mjaft i qartë”.
“Është rruga përpara në zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord. Dhe sigurisht, diskutimi për çështjet që po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Stano.
Derisa Bislimi sot ka udhëtuar drejt kryeqendrës evropiane. Kjo u bë e ditur nga Zyra për Komunikim në Qeverinë e Kosovës.
“Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit. Atje, ditën e nesërme, ai do të marrë pjesë në takimet e radhës të parapara në kuadër të procesit të dialogut”, u tha në njoftim.
Mbajtja e këtij takimi ishte e pasigurt në fund të javës së shkuar meqë kishte mospajtime rreth agjendës së diskutimeve.