Blakaj: Ishte konfirmuar prezenca e Ivanoviqit kur u krye masakra në rrugën e “Kovaçëve”

Blakaj: Ishte konfirmuar prezenca e Ivanoviqit kur u krye masakra në rrugën e “Kovaçëve”

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se politikani i ndjerë serb, Oliver Ivanoviq, ka qenë prezent në rrugën e “Kovaçëve” në ditën kur është kryer masakra.

Blakaj tha se kjo ishte vërtetuar në shkallën e parë të procesit gjyqësor ndaj Ivanoviqit.

“Po, në shkallën e parë është dëshmuar, paneli gjyqësor ka konfirmuar prezencën e tij në rrugën e “Kovaçëve”, pesë dëshmitarë e ka njohur Oliver Ivanoviqin, që ka qenë prezent në ditën kritike më 14 prill 1999 kur ishte kryer masakra në këtë lagje”, tha Blakaj.

“Ne nuk kemi asnjë informatë që Oliver Ivanoviq, ka qenë dëshmitar i ndonjë procesi apo i ndonjë hetimi për krimet e kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ndërsa nga ana tjetër logjika e shëndosh thotë që Oliver Ivanoviq, do të duhej të kishte pasur informata të jashtëzakonshme për atë se çka ka ndodhur gjithandej”, theksoi ai në Klan Kosova.

“Nuk ka asnjë informatë që ai ka pranuar apo ka dhënë dëshmi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne e kemi monitoruar procesin gjyqësor, çdo seancë gjyqësore kundër tij”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është kritikuar nga opinioni publik lidhur me deklaratat rreth politikanit serb i cili u vra më 18 janar 2018-të.

Kurti pati thënë se Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesin e komunitetit e qytetit të tij.

Oliver Ivanoviq, ishte shpallur fajtor për krime lufte në vitin 2016-të.

Asokohe, Lëvizja Vetëvendosje dënimin prej nëntë vjet burgim ndaj Ivanoviqit, e kishte cilësuar si “poshtërim për drejtësinë”.

Related Articles