UEFA: Projekti i FFK-së ‘Futbolli spontan’ ofron mundësi për fëmijët që të luajnë futboll

UEFA: Projekti i FFK-së ‘Futbolli spontan’ ofron mundësi për fëmijët që të luajnë futboll

Në ditën kur presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe ministri i Sportit, Hajrulla Çeku kanë qëndruar në selinë e UEFA-s, ku janë pritur nga presidenti Aleksandër Çeferin, faqja zyrtare e UEFA-s i ka kushtuar një artikull të veçantë edhe punës së Federatës së Futbollit të Kosovës, me talentet e reja. Këtë herë, UEFA e ka përzgjedhur projektin e FFK-së “Futbolli spontan” apo që ndryshe njihet edhe si “Futbolli i rrugës” për të promovuar FFK-në. Në artikullin e UEFA.com potencohet
fakti që Kosova ka popullsi të re, prandaj edhe federata është duke realizuar projekte për përfshirjen e të rinjve në futboll.



“Rritja e sportit më të preferuar në Kosovë dhe botë është një nga prioritetet kryesore të FFK-së. Ndaj edhe projekti ‘Futbolli Spontan”, i njohur ndryshe si “Futbolli i rrugës”, është projekt i saponisur. Shumë nga futbollistët e Kosovës që sot janë të suksesshëm në arenën ndërkombëtare e kanë treguar talentin e tyre për futboll duke luajtur me shokët e tyre në lagjet ku janë rritur, pra duke luajtur futbollin spontan. Prandaj FFK-ja vendosi që këtë format ta zhvillojë në mënyrë institucionale”, thuhet në artikullin e UEFA.com.

Tutje thuhet se kohët e fundit, federata ka shfrytëzuar hapësirat publike në kryeqytet për t’u ofruar fëmijëve mundësinë për të shijuar futbollin. Përveç argëtimit të fëmijëve, projekti synon edhe zbulimin dhe identifikimin e talenteve të reja.
Po ashtu theksohet se tashmë është planifikuar bashkëpunimi me institucionet lokale për gjetjen e hapësirave adekuate, ku fëmijët do të kenë akses më të lehtë në lojën e futbollit.

“Kosovarët ndër vite kanë shprehur dëshirën për të luajtur futboll përkundër mungesës së objekteve sportive. Tani, me mbështetjen e UEFA-s, po plotësohen kushtet që të rinjtë të luajnë lojën dhe t’u krijohen mundësi brezave të rinj që të jetojnë pasionin e tyre për futbollin e ndoshta edhe ta kthejnë atë në profesion. Qëllimi është të punojmë që e ardhmja e fëmijëve tanë të jetë e ndritshme për futbollin”, thuhet tutje në këtë artikull.

Projekti “Futbolli spontan” ishte një ndër pikat e shumta të programit të presidentit të FFK-së, Agim Ademi për mandatin e ri katërvjeçar.

Related Articles